Suedia në NATO, Edogani “e vulos”! Firmos kërkesën në këmbim të F16-tave te SHBA-së

26/01/2024 11:55

Me firmën e tij, Rexhep Tajip Erdogan i dha fund sagës 20 mujore të kërkesës së Suedisë për anëtarësim në NATO, që priste konfirmimin e Turqisë.

Nënshkrimi i kreut të shtetit turk ishte hapi i fundit në një proces të zvarritur në kohë, që kishte ngjallur pakënaqësinë e mjaft aleatëve të Ankarasë. Tani e vetmja pengesë në rrugën e anëtarësimit të Stokholmit në aleancën ushtarake, mbetet Hungaria.

“Ne mirëpresim ratifikimin nga Turqia të kërkesës së Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO. Kemi arritur në një moment historik vendimtar në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në NATO,” tha kryeministri suedez Ulf Kristersson në rrjetin e mediave sociale X. “Tani mbetet vetëm ratifikimi i Hungarisë në mënyrë që Suedia të bëhet anëtare e NATO-s”, u shpreh po në të njëjtën platformë ministri i Jashtëm suedez Tobias Billstrom.

Turqia vetë i siguroi megjithatë disa avantazhe nga kjo situatë. Ajo pret tani të materializohet premtimi i Joe Bidenit për të siguruar miratimin nga Kongresi amerikane të shitjes së avionëve luftarakë F-16 për Turqinë me vlerë prej 20 miliardë dollarësh. Erdogan e kishte kushtëzuar aprovimin e kërkesës së Suedisë me miratimin e shitjes së avionëve.

Miratimi vjen një ditë pasi Biden u dërgoi një letër drejtuesve të komisioneve kryesore të Kongresit ku i informonte se synonte të fillonte procesin zyrtar të njoftimit për shitjen e avionëve F-16, sapo Ankaraja të përfundonte procesin e miratimit për anëtarësimin e Suedisë në NATO.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA