“Maxhoranca me dy standarte”, Tabaku: Kërkon të kontrollojë punën e institucioneve të pavarura dhe vjen me propozim për të dekriminalizuar abuzimin me detyrën

26/01/2024 09:49

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku mbajti sot një konferencë për mediat.

Tabaku: Prej mbi një jave opinioni publik ka dëgjuar në fillim nën zë dhe më tej edhe publikisht nga Partia Socialiste një projekt për të suprimuar punën e Kuvendit të Shqipërisë dhe Komisioneve Parlamentare. Një veprim që bie në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë dhe mbi frymën dhe parimet kushtetuese që ndërtojnë një demokraci parlamentare funksionale dhe të vërtetë.

Ngritja e grupeve të punës së një partie për të kryer punën që sot kryejnë komisionet parlamentare dhe Këshilli Kombëtar i Integrimit është një përpjekje e qartë e shtrembërimit të një demokracie institucionale në një pushtet parti-shtet. Praktikisht një shpërbërje e çdo institucioni dhe çdo shtylle që mban në këmbë parimin e shkëputjes së shtetit nga diktaati i Partisë.

Ngritja e grupeve të punës përmes një vendimi të brendshëm të mazhorancës gjoja për të kontrolluar eficencën e zbatimit të kushteve dhe kritereve të procesit të integrimit është një fasadë për të arritur në fund mbikqyrjen dhe kontrollin e SPAK.

E gjithë kjo përpjekje për të kontrolluar drejtësinë dhe institucionin e hetimit vjen kur në sytë të qytetarëve SPAK po vazhdon të hetojë për Aferën 430 mln euro të inceneratorëve. Në një aferë ku sa më shumë gërmohen inceneratorët aq më qartazi dalin fytyrat e kryebashkiakëve dhe deputetëve të mazhorancës.
Përballë hetimeve dhe arrestimeve të grupeve të strukturuara kriminale që kanë shpalosur një rrjet të lidhur me pushtetin e lojrave të Fatit, strukturat shtetërore të policisë dhe jo vetëm. Apo dhe me hetime të çështjeve si ajo e rindërtimit edhe shumë çështje të tjera korruptive.
Qeveria dhe mazhoranca kërkojnë të kthehen në mburojë të atyre që i kanë kryer këto vepra penale për t’i mbrojtur nga hetimi dhe dërgimi përpara drejtësisë.

Nën parimin; Njerëzit tanë janë mbi ligjin, kjo mazhorancë po kërkon të mbivendosë funksionet që i takojnë Komisioneve parlamentare dhe Këshillit Kombëtar të Integrimit me sajesat e grupeve të punës që sipas kryetarit të përcaktuar nga vendimi i Partisë Socialiste “mund të angazhohet edhe në mbikqyrjen e institucioneve të drejtësisë”.

Ky akt politik është në të vërtetë sulmi më i pastër dhe i hapur që i bëhet institucioneve të drejtësisë që prej reformimit të drejtësisë në ndryshimet kushtetuese të vitit 2016.

Ligjet e miratuara nga Parlamenti i Shqipërisë, veçanërisht Ligji i Kuvendit për Procesin e Integrimit që ka marrë dakordësinë prej 140 deputetësh, paracakton qartësisht në Nenin 20 të Kreut 2 se institucionet e pavarura raportojnë përballë këtij Këshilli Kombëtar në lidhje me përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në Progresraportin e BE. Dhe mbi bazë të tillë të dispozitave kushtetuese dhe ligjore qytetarët kanë dëgjuar në Komisione Parlamentare dhe në KKIE raportime të ministrave dhe deri drejtuesit të SPAK.

Sakaq, siç edhe çdo shqiptar është në dijeni, Këshilli Kombëtar i Integrimit ka në përbërje të tij deputetë nga të gjitha anët e parlamentit. Kushdo nga kolegët deputetë ka të drejtën për të kërkuar një dëgjesë në Këshill me çdo drejtues të institucioneve të pavarura.

Të njëjtën të drejtë deputetët e Shqipërisë e kanë të garantuar për ta aplikuar edhe në çdo komision. Vetë Komisioni Ligjeve dhe Administratës Publike, që drejtohet për më tepër nga maxhoranca, ka në tagrin e tij për të thërritur në dëgjesa publike dhe të mbyllura krerët e Institucioneve të Pavarura.

Duke pasur parasysh këtë panoramë dhe mbi të gjitha duke sjellë ndërmend faktin që vetë institucionet e pavarura, përfshirë dhe institucionet e drejtësisë, raportojnë së paku një herë në vit në komisionet parlamentare. Ngrihet një pyetje edhe më e madhe se përse sot një vendim i Partisë Socialiste kërkon të suprimojë Parlamentin e Shqipërisë?

Përgjigja është e thjeshtë; Frika nga drejtësia e re! Frika ndaj ligjit! Përgjegjshmëria e një administrate që sot refuzon të firmosë në mënyrë të verbër çdo shkresë koncesioni që ju vjen sepse po shkel ligjin. Kësaj frike, mazhoranca socialiste dëshiron t’i përgjigjet me një tjetër veprim antikushtetues dhe jashtë çdo logjike shtetare; duke u angazhuar në përpjekje për të zhbërë veprën penale të “Abuzimit me Detyrën”. Një vepër penale që GJKKO dhe gjykatat e kanë zbatuar edhe për vendime që kanë pasur efekte dhe pasoja të qarta politike për mazhorancën.

Edhe kjo përpjekje është qartësisht një mburojë politike e qartë ndaj institucioneve të drejtësisë. Kjo është e njëjta mazhorancë që për vite me radhë është përpjekur për të inkriminuar shpifjen ndërkohë që sot vjen me një propozim për të dekriminalizuar abuzimin me detyrën. Një përpjekje e qartë që dëshmon dy anët e një medalje socialiste që kërkon të fajësojë me çdo kusht median ndërkohë që përpiqet të shfajësojë me çdo mjet atë që abuzon me pushtetin që nuk është i tyre por i shqiptarëve.

Në ndërkohë që flasim për këto përpjekje të qarta në ditën për diell. Një komision Ad Hoc i ngritur me dakordësinë e mazhorancës, opozitës, SHBA dhe BE ka përfunduar prej kohësh shqyrtimin e plotë të Paketës së Ndryshimeve Kushtetuese për Reformën në Drejtësi. Një paketë ndryshimesh e kryer në dakordësi dhe përputhje të plotë sa me institucionet e pavarura po ashtu edhe me faktorin ndërkombëtar si SHBA dhe BE. Fatkeqësisht, vullneti politik i munguar i kësaj mazhorance ka shtyrë për kalendat greke këto ndryshime.

Detyra e parlamentit në lidhje me procesin e integrimit është shumë e qartë. Me ligjin e miratuar në mënyrë konsensuale na takon që të angazhohemi në përdorimin e institucioneve për të kontrolluar përmes komisioneve parlamentare siç e kërkon ligji punën e qverisë dhe institucioneve të pavarura.

Detyra e qeverisë është që të ndërmarrë reforma reale në shërbim të qytetarëve për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të dërguar përpara procesin e integrimit. Duke ndërmarrë nisma që e akomodojnë ligjet aktuale në përputhje me kriteret e BE.

Energjia e çuar dëm për të sajuar struktura partiake me një fasadë gjoja parlamentare si ajo që dëgjojmë sot e kësaj dite nuk është një proces në shërbim të integrimit. Por është një goditje ndaj demokracisë parlamentare. Është kthimi i Shqipërisë nga një Republikë Parlamentare në Republikën e Partisë Socialiste.

Fatkeqësisht energjia e çuar dëm në gjithë këtë kohë ka sjellë shpërfytyrimin e një parlamenti që kthehet në promotorin e ligjeve që bien në kundërshtim me MSA apo dhe Kushtetutën e vendit. si fjala vjen Ligji iInvestiemve Strategjike apo ai i zonave të mbrojtura, që në dukje nuk kanë lidhje me njëri tjetrin por janë e njëjta gjë.

E ardhmja e Shqipërisë është më e rëndësishme se sa pushteti i çdo zyrtari që përpiqet të gjejë artifica për të kontrolluar pavarësinë e institucioneve. Prej kësaj politike të ditës qartazi për pushtet, prej mungesës së reformave, prej ligjeve që shkelin MSA e konkurencën, prej mungesës së zgjedhjeve të lira e të ndershme sot jemi 10 vite në pritje për një proces që nuk ka lëvizur e duket se mund të lëvizë tashmë. Qeveria të bëjë punën e vet, kuvendi punën e tij e institucionet e pavarura punën e tyre.

Dhe së fundi një thirrje drejtuar të gjithë faktorit vendas dhe padyshim dhe partnerëve tanë strategjikë. Shqipëria në vitin 2015 ndërmorri në dakordësi të plotë me ju një Reformë të thellë në sistemin e drejtësisë. Kuvendi i Shqipërisë votoi në mënyrë unanime me 140 deputetë ndryshime kushtetuese që shkundën sistemin e drejtësisë. Sot, shqiptarët po vuajnë edhe efektet e një sistemi të ri që ka krijuar hendeqe. Sikundër kanë parë zbatimin e kësaj reforme për të goditur ata që shumëkush i mendonte të paprekshëm.

Veprimet e njëanshme të mazhorancës socialiste janë një përpjekje e qartë për të zeruar gjithë këtë mund dhe përpjekje. Në një tentativë realisht antikushtetuese dhe antishqiptare për të shpërbërë një reformë të mundimshme duke përdorur gjoja mekanizma ligjorë jo për të forcuar rolin e kuvendit por për të shkatërruar demokracinë parlamentare dhe për të ndërtuar demokracinë popullore socialiste të vendit.

Ka ardhur koha të reagojmë! Ka ardhur koha të mbrojmë demokracinë tonë sado e brishtë ajo qoftë!

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA