Njoftimi publik i Mbretit Çarls të Britanisë se është diagnostikuar me zmadhim të prostatës, po rrit ndërgjegjësimin për shëndetin e burrave, për një sëmundje që prek miliona burra në mbarë botën.
Kjo sëmundje jokanceroze prek miliona burra në mbarë botën çdo vit. Sëmundja me të cilën është diagnostikuar mbreti Çarls është e zakonshme për burrat mbi 50 vjeç. Sipas revistës mjekësore “Lancet”, shifrat më të fundit në vitin 2019 tregojnë se rreth 94 milionë meshkuj në mbarë botën kanë vuajtur nga zmadhimi i prostatës.
Sipas Shërbimit Shëndetësor Kombëtar të Britanisë, shenjat e një prostate të zmadhuar janë vështirësia ose pamundësia për të urinuar dhe ndjenja e nevojë për të urinuar shumë më shpesh. Zmadhimi i prostatës nuk është një sëmundje kanceroze.
Instituti Kombëtar i Shëndetit në Shtetet e Bashkuara thotë se shkaku i një prostate të zmadhuar nuk është kuptuar mirë, por besohet se ka të bëjë me ndryshimet hormonale që prekin meshkujt ndërsa ata plaken. Instituti amerikan thotë se disa ekspertë të mjekësisë besojnë se ai shkaktohet nga një ulje e testosteronit dhe një rritje e estrogjenit brenda prostatës. Një tjetër faktor mund të jetë hormoni dihidrotestoron, që luan rol në zhvillimin dhe rritjen e prostatës.
Ben Challacombe, konsulent urolog në spitalet “Guy” dhe “St Thomas” në Londër thotë se trajtimi është zakonisht i thjeshtë.
“Ai ndoshta do t’i nënshtrohet një operacioni të prostatës, që shumë njerëz e bëjnë në vëllime të larta dhe rezultatet janë shumë të mira. Kështu që nuk mendoj se duhet të shqetësohemi pa arsye. Por sigurisht, kjo është një çështje, të cilën mbreti ynë duhet ta trajtonte”, thotë ai.
Në një vizitë mbretërore në Skoci më 18 janar, bashkëshortja e Mbretit Çarls, Mbretëresha Camilla, tha se ai donte të rifillonte detyrat zyrtare.
“Ai është mirë faleminderit shumë, ai mezi pret të kthehet në punë”, tha ajo.
Sophie Smith, një infermiere e specializuar për Kancerin e Prostatës në Britani, shpjegon se çfarë ndodh me prostatën ndërsa me rritjen e moshës mes meshkujve.
“Kur zmadhohet, pjesa e mesme e prostatës rritet më shumë, kështu që përfshin më shumë inde, por ato nuk janë kanceroze. Kjo është më e zakonshme për meshkujt mbi moshën 50 vjeçare. Dhe kur fillon të rritet pjesa e mesme e prostatës, ajo fillon të shkaktojë tysni në tubin e ujit, duke e ngushtuar atë. Më vonë, kjo mund shkaktojë shfaqjen e disa simptomave të zmadhimit të prostatës”, thotë ajo.
Infermerja Smith thotë se është e rëndësishme që gjendja të mos ngatërrohet me kancerin e prostatës.
“Nuk është pjesë e kancerit të prostatës, ato janë dy gjëra krejtësisht të ndara. Kjo nuk e shton rrezikun e prekjes nga kanceri i prostatës”, thotë ajo.
Ka shumë mënyra për të trajtuar prostatën e zmadhuar.
Smith thotë se në varësi të madhësisë së prostatës, ato zakonisht fillojnë me kura të ndryshme.
“Ka ilaçe që ndihmojnë në relaksimin e muskujve, që e lehtëson urinimin. Një tjetër ilaç mund të përdoret për të zvogëluar prostatën. Kur këto ilaçe nuk japin rezultate, atëherë është e nevojshme të bëhet një operacion për heqjen e pjesës së mesme të prostatës”, thotë ajo.
Sipas pallatit mbretëror, monarku britanik 75-vjeçar dëshiron të rrisë ndërgjegjësimin për shëndetin e burrave dhe kuptimin e kësaj sëmundjeje.
Organizata Kanceri i Prostatës në Mbretërinë e Bashkuar thotë se Mbreti Çarls bëri një punë shumë të mirë me njoftimin e publikut mbi sëmundjen e tij./VOA
Top Channel