Ligji për punësimin e detyruar prej 5 vjetësh të studentëve te mjekësisë, Kushtetuesja e shfuqizon pjesërisht. Kuvendi detyrohet të…

25/01/2024 15:28

Protestat, bojkotimi i mësimit, beteja ligjore, përpjekjet e durimi i studentëve të mjekësisë u dhanë fitoren në Gjykatën Kushtetuese.

Edhe pse gjyqtarët vendosën për shfuqizimin e pjesshëm të ligjit që i pengonte studentët e mjekësisë të largoheshin jashtë vendit me kushtin që pas diplomimit të punonin nga 3 deri në 5 vite në Shqipëri; ndryshimet ligjore të kërkuara nga Gjykata Kushtetuese e bëjnë marrëveshjen e pazbatueshme.

Gjykata kushtetuese e sheh me interes publik punësimin e detyruar të mjekëve të rinj, ku sipas saj prevalon detyrimi i shtetit për të garantuar kujdesin shëndetësor të shqiptarëve. Mirëpo, afatet e mbajtjes peng të diplomave,nuk janë në proporcion me nevojën.

Masat e kufizimit të të drejtës së punësimit vlerësohen më të ashpra. Në bazë të përvojave të shteteve të tjera, ky afat nuk duhet të tejkalojë gjysmën e kohëzgjatjes së studimeve, ndaj Gjykata Kushtetuese vendosi rishikimin e afateve me këtë limit,  por do të jenë hartuesit e ligjit ata që do e caktojnë në këtë nivel apo poshtë tij.

Ligji parashikonte 5 vite punësim i detyruar për studentët e mjekësisë të vitit të parë; 3 vite bllokim diplome për studentët e vitit të dytë deri në vitin e katërt, ndërsa ata që ishin në vitin e pestë dhe të gjashtë të studimit parashikohej detyrimi 2 vite; kufizim kohor i cili u rrëzua në mbledhjen e kësaj të enjte. Më tej, Gjykata Kushtetuese gjykoi se ligji i posacëm për mjekët e rinj kishte boshllëqe në nenin 6 të tij, ku mungonin kriteret e punësimit me prioritet si dhe trajtimi financiar gjatë kohës së pritjes së punësimit.

Ndryshimet e nevojshme, Kuvendi ka detyrën ti miratojë brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA