Nga Ardi Pulaj

Me kalimin e muajit të parë të vitit të ri, vëmendja në Hollywood është te ceremonia e ndarjes së çmimeve Oscar, ku vlerësohen prodhimet kinematografike dhe ata që tërhoqën vëmendjen e kritikëve dhe publikut.

Ndryshe nga vitet e tjera, ku Akademia e çmimeve Oscar është përballur me akuza për racizëm, për shkak se ka patur më shumë aktorë të bardhë të nominuar apo fitues, këtë janar publiku dhe bota e kinematografisë amerikane, që në një mënyrë ose tjetër vendos trendet botërore të filmave që duhet të shohim, është përfshirë nga një tjetër debat: çështja e feminizmit.

Me shpalljen e listës së nominimeve, ajo që të gjithë janë duke u marrë në ditët e sotme është fakti se Ryan Gossling, që luan Ken në filmin “Barbie” mori një nominim për Oscar si aktori më i mirë, kurse Margot Robbie që luan rolin kryesor të kukullës Barbie të shndërruar në versionin human, nuk mori një nominim.

Debati, që në kohët e teknologjisë së avancuar, bëhet në rrjetet sociale, përfshiu përdoruesit dhe ngriti debatin e feminizmit, në nominimet e çmimeve Oscar.

“Të nominosh Ken, por jo Barbie, është aq e paqartë saqë duket sikur Akademia po i ndihmon ata të krijojnë shakatë për filmin me buxhet më të madh,” shkroi një përdorues në rrjetin social X, (ish Twitter).

Është e vërtetë se “Barbie” u nominua për tetë çmime Oscar të martën, përfshirë për filmin më të mirë. Anashkalimi i aktores kryesore të filmit, Margot Robbie dhe regjisores, Greta Gerwig, ka bërë që fansat dhe kritikët të ndjehen sikur akademia nuk e ka kuptuar fare mesazhin që filmi “Barbie” jep.

Ajo që ishte e vështirë të kapërdihej dhe ka shtuar zhgënjimin te fansat është fakti se dy prej tetë nominimeve për një film që është haptazi feminist, ju dhanë Ryan Gosling dhe America Ferrera, kjo e fundit u nominua për një Oscar si aktorja më e mirë dytësore. Kjo shprehet qartë me postime të shumta në këtë frymë: “I gjithë qëllimi i filmit ‘Barbie’ ishte të fuqizonte gratë dhe të tregonte se ne jemi të forta dhe të afta në një botë të dominuar nga meshkujt, megjithatë aktorja dhe regjisorja nuk u nominuan për një Oscar?”

Edhe vetë Ken (Ryan Gossling) nuk ishte i kënaqur me Akademinë, kur tha se: “Nuk ka Ken pa Barbie dhe nuk ka një film ‘Barbie’ pa Greta Gerwig dhe Margot Robbie, dy njerëzit përgjegjës për këtë film historik, të njohur globalisht.”

Dhe irritimi i Gossling dhe fansave është i kuptueshëm.

Kujdes për ata që nuk e kanë parë “Barbie”! Pjesa e mëposhtme zbulon detaje nga filmi.

Filmi portretizon një Barbie stereotipe, jeta e përsosur e së cilës në Barbieland gradualisht po shkatërrohet, sepse njerëzit që luajnë me të në botën reale janë të trishtuar. Këmbët e saja të harkuara po bëhen të sheshta, ka celulit në kofshët e saj dhe nis të shqetësohet për vdekjen. Dhe ajo nis rrugëtimin për në botën reale për të gjetur familjen dhe të zgjidhë hallet e botës. Por kupton se kjo botë humane është e egër. Ajo përballet me përkufizime si: Barbie nuk është gjë tjetër veçse një grua tërheqëse por jo inteligjente, trupi i përsosur i së cilës dhe stili i privilegjuar i jetesës, i kanë bërë gratë të ndjehen keq me veten për dekada me radhë.

Ashtu si gratë e vërteta, Barbie përballet me objektivizim dhe kritika. Filmi sjell ekzaktësisht narrativën për përvojat e grave. Komentet në media për filmin thonë se “Barbie” e Gerwig ekspozon më së miri se sa e dëmshme është ideologjia patriarkale për shoqërinë: “Ndërsa filmi padyshim është tërheqës për gratë, janë burrat ata që me të vërtetë duhet ta shohin atë,” janë disa nga analizat e zakonshme për prodhimin kinematografik.

Ndaj edhe kësaj here, Akademia është vënë sërish në shënjestër të kritikave. Por kësaj radhe, për faktin se në filmin për gratë e anashkaluara dhe që sfumohen në strukturat patriarkale – nuk ka një nominim pikërisht për këtë grua dhe krijuesen e filmit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA