Rezoluta mes mazhorancës dhe opozitës e miratuar dje në Këshillin e Stabilizim Asocimit nga Bashkimi Europian ka bashkuar politikën shqiptare.
“Në qoftë se kolegët flasin në Tiranë ashtu siç flasin në Bruksel unë mendoj që gjërat do ti kishim zgjidhur më parë. Shqipëria ndodhet në një udhëkryq të rëndësishëm, e presim në javët në vijim që të hapen dy kapitujt e negociatave që tashmë të gjithë e dinë janë bllokuar për një çështje bilaterale me Greqinë dhe rezoluta e përbashkët, qëllimi ynë ishte që të jepnim një mesazh që pavarësisht mosdakordësisë që ne kemi, problemet që po kalon Shqipëria, procesi i integrimit nuk duhet të ndalojë”.
Rezoluta e re e dakordësuar në Parlamentin Europian u bën thirrje deputetëve shqiptarë që të rikthejnë normalitetin në Kuvend si dhe kërkon që reforma zgjedhore të jetë gjithpërfshirëse.
“Dy janë çështjet e rëndësishme në rezolutë. E para reforma zgjedhore gjithëpërfshirëse i cili ka qenë një qëndrim i hershëm i komisionit europian, i delegacionit të BE, i Parlamentit Europian dhe elementi i dytë ishte jeta parlamentare”.
Jorida Tabaku zbulon për Top Channel se një çështje tjetër që opozita shprehu shqetësimin lidhet edhe me planin e qeverisë për monitorimin e organeve të drejtësisë.
“Aty u reflektua në rekomandimet e përbashkëta është jo normale kur ne diskutojmë për një rrugëtim të shqipërisë në procesin e integrimit, jo gjithmonë të na dalin diskutime të tilla. Një herë del ligji i amnistisë fiskalë, pastaj pasaportat e arta, tani del grupi i punës së organeve të pavarura të drejtësisë. Ky është uzurpim i funksioneve që ka edhe komisioni i integrimit edhe komisioni i ligjeve. Iniciativë që nuk shkon me frymën e marrëveshjes së stabilizim asociimit”.
Rikthimi i deputetëve nga Brukseli, synon të sjell një reflektim si te socialistët edhe te aksioni i demokratëve. Teksa të premten në orën 10 është njoftuar edhe mbledhja e rradhës e komisionit të reformës zgjedhore.
Top Channel