70 persona u arrestuan dhe 19 të tjerë u shpallën në kërkim pasi ishin të implikuar në shpërndarjen e drogës në kryeqytet.
Në finalizim të operacionit “Tempulli 2” policia u përqëndrua në zonat problematike si Alliasi, Kafja e Rremës, Selita, Kinostudioja dhe në zonën e ish-Bllokut në klube dhe bare.
“Shpërndarësit e lëndëve narkotike i kishin sofistikuar mënyrat e mbrojtjes nga policia. Shisnin vetëm brenda banesës kishin kamera në dyer e pallate. Një pjesë e tyre punonin 4-5 veta bashkë dhe kishin një furnizues, kishte raste që punonin si familje, siç ishte rasti në Selitë apo individualisht”, shefi i sektorit kundër Narkotikëve në Policinë e Tiranës, Arbër Zemani.
Banesa e Mamica Korteshit dhe Florand Karemanit, prej gati një dekadë burrë e grua, e kishin shndërruar në bazë të shitjes së kokainës dhe heroinës derisa policia mundi të faktojë aktivitetin e tyre kriminal dhe ndërhyri në banesë me ndihmë të forcave RENEA.
“Droga që dominon në kryeqytet është kokaina e cila konsumohet, natën dhe nga një moshë 35-40 vjeç. vendin e dytë e zë kanabisi që konsumohet nga një moshë më e vogël dhe që edhe kësaj here kemi pasur shpërndarje pranë shkollave”, u shpreh Arbër Zemani.
Përveç kanabisit tradicional në tregun e shpërndarësve është futur dhe kanabisi laboratorik me THC të lartë i cili është kapur të hyjë në vendin tonë nëpërmjet postës. Në pranga ranë 2 persona të cilët trafikuan 5 kg kanabis nga nga Chikago.
“Ambalazhohej nëpër pako të mëdha të cilat presupozohej të kishin pjesë këmbimi për automjete në brendësi. Dërgoheshin në Shqipëri në emër të personave që kishin ndërruar jetë dhe autorët të cilët u arrestuan i tërhiqnin duke përdorur mjetet e identifikimit të tyre të cilat i kishin të fotografuara në telefon”, shpjegoi Arbër Zemani.
Gjatë këtij operacioni Policia e Tiranës sekuestroi 5.3 kg kokainë, 14 kilogram kanabis doza të shumta heroine si edhe sasi të konsiderueshme parash të përfituara nga ky aktivitet kriminal.
Top Channel