Dëmtimi i dy kalimtarëve nga rrëzimi i një skele nga pallati në ndërtim i firmës Arlis ka vënë përpara përgjegjësisë penale tre persona.
Mëngjesin e kësaj të marte u arrestuan për veprën penale të shkeljes së rregullave dhe mbrojtjes në punë Elton Osmanllari, punëtor, Erjon Kanto, sipërmarrës dhe Zef kalaj inxhinier i kompanisë Arlis. Sipas verifikimeve të grupit hetimor në terren, ata nuk kishin zbatuar rregullat për të ruajtur, qoftë punëtorët, ashtu edhe këmbësorët.
Pas arrestimit të 3 përgjegjësve për incidentin, kantieri i ndërtimit ishte boshatisur dhe puna ishte ndërprerë në pallatin Arlis.
Nga ana tjetër, dy të plagosurit vijojnë të jenë në spital ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Incidenti i ndodhur në një pallat në ndërtim në Tiranë ku u plagosën dy kalimtarë nuk është një rast i izoluar. Gjatë vitit 2023 u evidentuan 102 raste nga të cilat u identifikuan 115 autorë të shkeljes së rregullave dhe mbrojtjes në punë nga të cilët 35 u arrestuan.
Sektorët me problematikë përsa i përket incidenteve në punë, ku jo rrallë herë kemi hasur edhe humbje jete nga punëtorët janë ndërtimi, minierat dhe fasoneritë.
Top Channel