Kryeminsitri Edi Rama ka publikuar foto nga takimi me drejtuesit e vendeve të tjera përpara samitit të rëndësishëm që do të mbahet nesër në Shkup.
“Shkup – Përpara darkës së punës mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të lartë të administratës amerikane e të BE”, shkruan Rama në Facebook krahas fotove.
Aty tregohet se pjesë e darkës ka qenë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Plani i Rritjes Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga Komisioni Evropian, do të mbledhë nesër në Shkup liderët e Ballkanit Perëndimor. Mikpritës i takimit të organizuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, do të jetë kryeministri i këtij vendi Dimitar Kovaçevski.
Në takim marrin pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Kosovës, Albin Kurti, ai i Malit të Zi, Milojko Spajiç, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe ministri i Financave dhe Thesarit në Këshillin e Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Srgjan Amidzhiç, sipas njoftimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Në takim marrin pjesë edhe drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian, Gert Jan Kopman dhe ndihmës sekretari i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien.
Top Channel