6 automjete me vlerë 130 mijë euro/ Lejuan në Kapshticë kalimin e makinave të vjedhura në Greqi, pezullohen nga detyra katër policë

21/01/2024 09:43

Katër policë janë pezulluar nga detyra, pasi lejuan kalimin në pikën kufitare në Kapshticë të disa makinave të vjedhura në Greqi.

Gjykata e Shkallës së Parë Korçë  vendosi masën e sigurisë “Arrest në burg” për M.C., 32 vjeç, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Nga hetimet rezultoi se ai ka trafikuar në Shqipëri automjete që rezutojnë të vjedhura në Greqi, duke iu bërë ndryshime në elementët identifikuese për t’i pajisur më pas me dokumente false, me qëllim shitjen e tyre në Shqipëri.

AMP ekzekutoi gjithashtu vendimin e Gjykatës, për masën e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, si persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” ndaj tre inspektorëve M.M., 32 vjeç, me detyrë punonjës policie pranë PKK Kapshticë; S.L., 56 vjeç, me detyrë punonjës policie pranë PKK Kapshticë: E.M., 35 vjeç, me detyrë punonjës policie pranë PKK Kapshticë dhe nënkomisarit M.A., 28 vjeç, me detyrë Specialist për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë.

Sipas AMP, punonjësit e Policisë,  nuk kanë kryer verifikime mbi dokumentacionet e mjeteve, mungesat e prokurave apo autorizimet që duhet të dispononte shtetasi M.C. në momentin e futjes së këtyre mjeteve në territorin shqiptar.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 6 automjetet me vlerë 130 000 euro.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë Pranë Gykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, ndërsa hetimet vijojnë për përfshirje të shtetasve apo punonjësve të tjerë të policisë në këtë veprimtari kriminale.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel