Nga Ardi Pulaj
“Në rast se keni harruar, lufta në Ukrainë vijon. Vendi vazhdon të mos ketë kontrollin e 18% të territorit të tij, janë me miliona njerëz të zhvendosur brenda Ukrainës e jo vetëm dhe ka dhjetëra mijëra viktima të krimeve të luftës,” ky është përkufizimi që analisti i njohur i çështjeve globale Ian Bremmer jep për faktin se me zhvillimet e tjera botërore, nuk duhet harruar fakti që lufta në Ukrainë vazhdon, pavarësisht se vëmendja mund të jetë zhvendosur disi.
Konflikti mes Izraelit dhe Palestinës është ndoshta përshkrimi më i mirë i faktit se fokusi është zhvendosur nga pushtimi rus i Ukrainës dhe lufta aktive në terren. Sulmi i militantëve të Hamasit më 7 tetor, tërhoqi vëmendjen globale, edhe pse për hir të së vërtetës konflikti Izrael-Hamas nuk filloi atë ditë. Thjesht e intensifikoi atë dhe shpresat për paqe gjithsesi duken larg.
Për më tepër, tensionet mes shteti hebre dhe grupit militant libanez, Hezbollah të mbështetur nga Irani, janë në nivelin më të lartë që kur Hamasi nisi sulmin e tij përtej kufirit të Gazës më 7 tetor, duke rritur rrezikun që konflikti të përhapet më tek në rajon. Vrasja e disa komandantëve, si të Hebzbollahut, si të Hamasit në Liban, përshkallëzoi sulmet ndaj Izraelit dhe përgjigjen e këtij të fundit.
Një vatër tjetër u hap nga sulmet e Iranit në territorin e Pakistanit, Irakut dhe Sirisë. Në vetëm dy ditë këtë javë, Irani lëshoi raketa, fillimisht në rajonin kuaziautonom kurd të Irakut dhe Sirisë dhe më pas në Pakistan. Këto sulme padyshim do të nxisin edhe më shumë tensionet rajon.
Sulmet e rebelëve Houthi në Jemen të anijeve në Detin e Kuq, janë një shenjë e qartë kundër Izraelit, Arabisë Saudite dhe Shteteve të Bashkuara. Për shkak të sfondit ideologjik të rebelëve Houthi, që mbështeten nga Teherani, konflikti në Jemen shihet gjerësisht si një front tjetër i luftës.
Duke u kthyer te Ukraina, si mund të dalë ajo sërish në qendër të vëmendjes së komunitetit ndërkombëtar dhe ndoshta fitimtare e luftës? Analisti Bremmer thotë se kjo bëhet duke u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe në NATO. Ukrainës i duhet të punojë fort në mobilizimin e trajnimin ushtarak dhe në pjesën e strategjisë. Nëse do të kryejë me sukses këto detyra, Kievi do të jetë në një pozicion të fortë për të mbrojtur territorin ekzistues në vitet e ardhshme, me një të ardhme që mund të përfshijë garanci të forta sigurie nga Perëndimi, anëtarësimin eventual në NATO, ndihmën për rindërtim dhe integrimin në BE, një trajektore gjeopolitike më e mirë se sa para pushtimit rus dy vjet më parë. Por nëse dështon, Ukraina ka të ngjarë të humbasë luftën në të ardhmen e afërt dhe kjo do të përkthehet në heqjen dorë nga nga më shumë territor në Donetsk dhe ndoshta në rajonet e Kharkivit. Më pas do të detyrohet të pranojë një armëpushim ose zgjidhje shumë më të pafavorshme.
Por ajo që Bremmer thekson se anëtarësimi në BE dhe Aleancën Veri-Atlantike do të kthente vëmendjen te Ukraina, në praktikë duket e vështirë për tu realizuar.
Në takimin e janarit në Davos, shefi i NATO-s Jens Stoltenberg tha se ukrainasit tani janë të orientuar fort drejt Perëndimit, duke aspiruar anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian. Edhe pse theksoi se “mbështetja për Ukrainën nuk është bamirësi, por është një investim në sigurinë tonë”, Stoltenberg nuk foli se kur dhe si Ukraina mund të bëhet anëtare e Aleancës Veri-Atlantike. Në 2008, NATO ra dakord në samitin e Bukureshtit që ish republika sovjetike e Ukrainës mund t’i bashkohej aleancës, por pa i dhënë Planin e Veprimit për Anëtarësim (MAP). Më pas Moska ndërhyri dy herë ushtarakisht në Ukrainë, në 2014 dhe 2022. Në samitin e Vilniusit në 2023, liderët e NATO-s hoqën kriterin e MAP për Ukrainën, por thanë se ftesa e anëtarësimit për Ukrainën do të vijë kur aleatët të bien dakord dhe kur të plotësohen kushtet. Por kjo sipas vetë Stoltengerg, nuk do të ndodhë teksa vendi është në luftë.
Në rast se Ukraina bëhet anëtare e NATO-s, Rusia ka deklaruar se do të garantonte interesat dhe sigurinë e saj, që janë rrezikuar për më shumë se dy dekada nga zgjerimi i aleancës drejt lindjes drejt kufijve evropianë me Rusinë. Kremlini e ka parë prej kohësh zgjerimin e NATO-s në Evropën Lindore si dëshmi të armiqësisë së Perëndimit ndaj Rusisë. Kjo është përmendur si një nga arsyet kryesore për vendimin e saj për të dërguar dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë më 24 shkurt 2022. Deri më tani Moska nuk i ka specifikuar masat që do të marrë nëse Ukraina anëtarësohet në NATO.
Rruga e Ukrainës drejt Bashkimit Evropian është bërë më e qartë që nga dhjetori kur Brukseli ra dakord të nisë negociatat e anëtarësimit. Procesi pritet të jetë i gjatë dhe rezultati është i pasigurt, pavarësisht se çfarë nënkupton retorika e sotme. BE-ja kurrë më parë nuk ka zhvilluar negociata me një vend që është i përfshirë në luftë; rastin e Ukrainës kundër një armiku si Rusia. Po ashtu Kievi duhet të përmbushë kushtet e zakonshme të paraanëtarësimit të vendosura nga Brukseli, për çdo vend kandidat.
Vijimi i luftës do ta thellojë sfidën dhe si rrjedhojë dhe Ukrainën do e mbajë larg portës së BE-së dhe NATO-s. Kur negociatat e anëtarësimit në BE vijojnë të stërzgjaten për vendet në paqe, si Shqipëria e Maqedonia e Veriut, imagjinoni me Ukrainën në luftë me Rusinë.
Top Channel