Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka dënuar të premten katër operatorë kabllorë në Kosovë, me 100 mijë euro.
Dënimet kanë ardhur pas ankesave të qytetarëve se operatorët nuk u janë përmbajtur kushteve të kontratave me konsumatorët. Operatori Artmotion është dënuar me 64 mijë euro, Kujtesa me 26 mijë euro, IPKO me 7 mijë euro dhe operatori Telkos me 3 mijë euro.
“KPM duhet të veprojë konform ligjit të vet për sanksionimin e operatorëve të shpërndarjes së lartpërmendur, duke ofruar gjobën maksimale e cila lejohet brenda ligjit e që është 100 mijë euro”, tha Jeton Mehmeti, kryetar i KPM-së.
Në KPM ishin dorëzuar ankesa nga qytetarët e pakënaqur me ndryshimin e paparalajmëruar të listës së kanaleve televizive.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë tha të enjten, më 18 janar, se vetëm brenda dy javëve të para të janarit, në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit në MINT ishin pranuar 350 ankesa kundër operatorëve Artmotion, Kujtesa, IPKO dhe Telkos.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, mbetet maksimalisht e përkushtuar për të adresuar secilën ankesë, përbrenda afateve ligjore, tek institucionet përkatëse, në mënyrë që konsumatorëve t’u mbrohet e drejta e tyre e garantuar me ligj, dhe që shkelësit e ligjit, respektivisht të drejtave të konsumatorit, të ndëshkohen sipas legjislacionit në fuqi”, tha ministria përmes një komunikate për media./ REL
Top Channel