Ministri i Brendshëm takim me Prokurorin e Përgjithshëm: Po goditet sëmundja e vjetër e lidhjeve të krimit me policinë dhe drejtësinë

18/01/2024 14:33

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla zhvilloi sot një takim me Prokurorin e Përgjithshëm Olsian Çela.

Në fokus të takimit ku morën pjesë edhe drejtues të lartë të Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit ishte vlerësimi i ecurisë së punës së deritanishme të strukturave të prokurorisë dhe policisë, koordinimin mes tyre dhe bashkërendimin e prioriteteve në goditjen e krimit.

Gjatë takimit ministri Balla theksoi se revanshi i sundimit të ligjit ndaj krimit të organizuar po godet fort sëmundjen e vjetër të lidhjeve të krimit me policinë dhe drejtësinë.

Gjithashtu ministri Balla vlerësoi rezultatet e arritura në goditjen e rrjeteve të shpërndarësve të lëndëve narkotike në muajin shtator 2023, puna e kryera nga strukturat e policisë dhe prokurorisë në këtë drejtim si dhe u shpreh vullneti për vazhdimin e punës në këtë aspekt edhe gjatë vitit 2024, duke e konsideruar si çështje me prioritet maksimal.

Gjithashtu prej tij u prezantuan edhe disa aspekte të tjera prioritare për punën e Policisë së Shtetit e për të cilat kërkohet mbështetje nga ana e prokurorisë. Mes të tjerash gjatë takimit ministri Balla theksoi rëndësinë e dy vendimeve të Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut në Strasburg në lidhje më çështjen e 21 Janarit si dhe çështjen Hysa ndaj Shqipërisë, lidhur me respektimin e standardeve në aplikimin e masës së sigurimit “arrest në burg” në fazën e hetimit dhe gjykimit.

Nga ana e tij, Prokurori i Përgjithshëm Çela vlerësoi nivelin e deritanishëm të bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional me Policinë e Shtetit dhe angazhimi maksimal i prokurorive megjithë problemet që po has institucioni për shkak të mungesave në strukturë si rrjedhojë e procesit të rivlerësimit kalimtar. Ai u ndal në nevojën për të harmonizuar prioritetet e luftës ndaj kriminalitetit përmes individualizimit më të mirë të të tyre në kuadër të rekomandimeve për luftën ndaj kriminalietit që çdo vit Këshilli i Ministrave i përcjell prokurorisë. Gjithashtu ai vuri theksin mbi nevojën për të përmirësuar punën në drejtim të ecurisë së procesit të dekriminalizimit, duke u fokusuar në përdorimin më efikas të kanaleve të komunikimit që ka Policia e Shtetit për marrjen e të dhënave të nevojshme nga partnerët ndërkombëtarë. Mes të tjerash Prokurori i Përgjithshëm kërkoi një kujdes të shtuar nga ana e Policisë së Shtetit sa i përket respektimit të të drejtave proceduriale të shtetasve në rastet e sekuestrimeve të mjeteve të personave që drejtojnë automjetet në mënyrë të pa rregullt, për të evituar kostot e panevojshme për qytetarët dhe për shtetin.
Në takim u ra dakord për të përpunuar një plan veprimi sa i përket edhe përballjes me fenomene të reja kriminale si rrjedhojë e përdorimit të gjerë të rrjeteve sociale për kryerjen e krimeve të ndryshme, ku u vlerësua si shumë shqetësuese prekja masive prej tyre e personave të mitur.

Dy institucionet u angazhuan gjithashtu edhe për marrjen e një sërë masash të përbashkëta në drejtim të koordinimit më të mirë të të dhënave që lidhen me shpalljen dhe heqjen nga kërkimi ndërkombëtar të shtetasve shqiptarë.

FOTO GALERI
5/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA