E fjetur prej disa kohësh, duket se Rruga Ballkanike e kalimeve të paligjshme drejt BE-së, është ripërtërirë sërish.

Të dhënat paraprake nga Agjencia Europiane për Ruajtjen e Kufijve, FRONTEX, tregojnë se numri i kalimeve të parregullta në kufirin e jashtëm të Bashkimit Europian arriti në vitin 2023 në rreth 380 mijë, i nxitur nga një rritje e mbërritjeve përmes rajonit të Mesdheut. Kjo shënon nivelin më të lartë që nga viti 2016 dhe përbën një rritje prej 17% krahasuar me kalimet e parregullta të vitit 2022, duke nxjerrë në pah një tendencë të vazhdueshme rritëse gjatë tre viteve të fundit.

Sipas FRONTEX-it, Mesdheu Qendror, vazhdon të mbetet rruga më aktive e emigracionit drejt bllokut europian, duke llogaritur dy në çdo pesë kalime të parregullta. Kjo rrugë përbënte 41% të kalimeve në vitin 2023, e ndjekur nga ajo e Ballkanit Perëndimor që përbënte 26% dhe Mesdheu Lindor që përbënte 16% të kalimeve. Shtetasit që kryesojnë listën e klandestinëve drejt BE-së në 2023-shit janë sirianët me 100 000 kalime të parregullta, të pasuar nga guineasit dhe afganët.

Këto tre kombësi kryesore përbëjnë sipas FRONTEX, mbi një të tretën e të gjitha kalimeve të parregullta gjatë vitit të kaluar. 10% e numrit të përgjithshëm të këtyre kalimeve e përbëjnë gratë e një 10 përqindësh tjetër, fëmijët. Sipas kreut të Frontex, Hans Leijtens, shifrat janë një tregues i sfidave në zhvillim me të cilat po përballen ata në menaxhimin e kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian. Rreth 9 mijë emigrantë të huaj të parregullt sipas të dhënave paraprake u evidentuan në brendësi të territorit shqiptar, ku pjesa më e madhe e të cilëve kanë hyrë nga Greqia në pikën e Qafë Botës në Sarandë.

Autoritetet shqiptare firmosën mesin e këtij viti një marrëveshje bashkëpunimi me FRONTEX-in që synon të sigurojë shkëmbimin e informacionit ndërmjet agjencisë europiane policore të ruajtjes së kufijve dhe autoriteteve shqiptare në lidhje me pretendimet për shkelje të të drejtave themelore në aktivitetet operacionale të FRONTEX në territorin e Shqipërisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA