Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ligjin e ndryshuar për Komisionet Hetimore Parlamentare, duke refuzuar thirrjen e opozitës për të mos e firmosur por ta kthente mbrapsht në Parlament.
Në argumentet e dhëna për firmosjen e dekretit, Presidenca thotë prerë se opozita nuk ofroi asnjë zgjidhje pavarësisht apelit të tij kompromis.
“Presidenti i Republikës e çmon si tejet të rëndësishme uljen në negociatë për të gjetur zgjidhje kompromisi për këtë lëndë, si për çdo lëndë tjetër objekt debati, kontestimi apo konflikti politik. Zgjidhja e shpejtë e kundërshtive për këtë ligj do të formonte një mundësi serioze për të ndërtuar marrëdhënie mirëbesimi mbi një shembull konkret bashkëpunimi. Kjo është arsyeja pse Presidenti i Republikës ftoi menjëherë eksponentët më të zëshëm të opozitës që të kërkonin kompromisin me shumicën parlamentare dhe të shfrytëzonin ndërkohë, deri në përfundimin e afatit për shpalljen e ligjit, për të zgjidhur në dialog me shumicën të gjitha çështjet që i shqetësonin lidhur me ligjin e sapo miratuar. Në të vërtetë, periudha nga miratimi i ligjit, deri në përfundimin e afatit 20-ditor për shpalljen e tij, u ezaurua pa asnjë demarsh për të ofruar dhe gjetur zgjidhje kompromisi, gjë që mban në këmbë si objektiv qëllimin për bllokimin e hyrjes në fuqi të ligjit, por rrëzon si të paqenë objektivin për “diskutimin dhe miratimin konsensual të ndryshimeve në ligjin për komisionet hetimore””– argumenton Begaj, duke vënë në dukje se qëllimi i opozitës ka qenë bllokimi, jo kompromisi.
I ndalur te pretendimi i opozitës për parregullsi procedurale, Presidenca informon se ky pretendim nuk i qëndron kontrollit kushtetues.
“Shkeljet procedurale nuk përbëjnë shkak të vetëmjaftueshëm për kthimin e ligjit për shqyrtim. Procedura e shqyrtimit dhe e miratimit të projektligjeve është çështje e Rregullores së brendshme të Kuvendit, kontrolli i zbatimit të së cilës kryhet nga organet e brendshme të Kuvendit, të ngarkuara nga vetë Rregullorja për këtë qëllim. Është fakt publik se në instancat e brendshme të Kuvendit nuk është depozituar asnjë kërkesë me pretendime për shkelje procedurale të lidhura me këtë ligj. Shkeljet procedurale mund të formojnë lëndë për kontrollin kushtetues vetëm nëse shkeljet procedurale ngrihen në nivelin e shkeljeve kushtetuese. I tillë është, për shembull, rasti kur një ligj, për të cilin Kushtetuta kërkon miratimin me shumicë të cilësuar, miratohet me një numër më të vogël votash. Asnjëra nga shkeljet procedurale të pretenduara nuk ngrihet në nivelin e një shkeljeje procedurale kushtetuese. Për pasojë, nuk e bën këtë ligj antikushtetues. Po kështu, pretendimi se ky ligj duhet të ishte miratuar me konsensus nuk ka lidhje me ndonjë kërkesë të Kushtetutës, ndaj Presidenti i Republikës nuk mund ta kthejë atë për shqyrtim me shkakun se i mungon konsensusi”- thuhet në argumente.
Presidenti bën thirrje për dialog konstruktiv dhe bashkëpunim vullnetmirë midis forcave politike, si rruga e vetme që i shërben të mirës së përbashkët, interesit kombëtar dhe konsolidimit të pozitave të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare; apel ky i vlefshëm sidomos në lëmin e ngritjes dhe funksionimit me sukses të komisioneve hetimore parlamentare.
Ligji për komisionet hetimore u miratua me 75 vota në seancën e fundit parlamentare të dhjetorit. Ai erdhi në Kuvend me propozim të PS në kohën kur pikërisht refuzimi i komisioneve hetimore u kthye në mollë sherri mes opozitës dhe maxhorancës në Parlament.
Top Channel