Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë të mërkurën se e ka paralajmëruar të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, për veprimet e Prishtinës në procesin e dialogut.
Dy zyrtarët kanë zhvilluar takime në Forumin Ekonomik Botëror, që po mbahet në Davos të Zvicrës.
“Bisedë e hapur me Mirosllav Lajçakun për situatën në Kosovë dhe Metohi dhe kërcënimet me të cilat përballet popullata serbe çdo ditë, të cilat kërcënojnë paqen dhe stabilitetin e rajonit”, ka thënë Vuçiç përmes një postimi në Instagram.
Vuçiç i ka përsëritur disa herë ato që i konsideron kërcënime ndaj popullatës serbe në Kosovë, por pa ofruar fakte për pretendimet e tij.
Sipas Vuçiçit, Serbia ka qasje të përgjegjshme në dialogun mes dy vendeve, por janë veprimet e Prishtinës ato që “vënë në pikëpyetje gjithçka që është arritur deri më tani në procesin e normalizimit të marrëdhënieve”.
Në këtë Forum po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por nuk dihet nëse ai do të ketë një takim me Vuçiçin këto ditë.
Ditë më parë, Lajçak ka diskutuar për dialogun edhe me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, po ashtu në Davos, me të cilin ka biseduar për tema të dialogut, me theks të veçantë nevojën për zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kjo Marrëveshje është arritur në shkurt të vitit të kaluar në Bruksel.
Në mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, palët janë pajtuar për një aneks zbatimi, por sipas zyrtarëve të BE-së nuk janë marrë hapa në atë drejtim.
Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë nisur procesin e dialogut, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve, qysh më 2011. Palët kanë arritur një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar./ rel
Top Channel