Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Davos të Zvicrës tha se paralajmërimet e fundit të Prishtinës po rrezikojnë procesin e normalizimit dhe dialogun.
Vuçiç tha se nga “Prishtina ka paralajmëruar se do të anulohet transaksioni i pagesave me Serbinë qendrore, përdorimi i dinarit dhe po ashtu do të bastiset Banka e Kursimeve Postare”.
“Detyra ime është të kujdesem për popullatën serbe dhe paqen rajonale. Nga Prishtina morëm një njoftim se janë të gatshëm ta shqyrtojnë anulimin e transaksioneve të pagesave me Serbinë qendrore, ta ndalojnë përdorimin e dinarit dhe të bastisin Bankën e Kursimeve Postare. Kjo jo vetëm që na shqetëson, por edhe vë në pikëpyetje të gjitha proceset e normalizimit dhe dialogun”, tha Vuçiç sipas “TV Pink”.
Ai u shpreh se kjo do të jetë edhe temë kryesore e bisedës sonte me Ndihmësekretarin Amerikan të Shtetit për Çështjen Evropiane e Euroaziatike, James O’Brien.
“Është shumë e rëndësishme që të arrijmë nivelin më të lartë të mundshëm të mirëkuptimit me SHBA-në”, tha Vuçiç.
Top Channel