Trump, fitore dërrmuese në Iowa: Lë shumë pas rivalët, më afër nominimit republikan!

16/01/2024 08:17

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump shënoi një fitore dërrmuese në zgjedhjet paraprake të Iowas, duke çimentuar statusin e tij si kryesuesi i qartë i garës për nominimin presidencial republikan të 2024.

Kushtet e ashpra atmosferike ndikuan tek pjesëmarrja në votime, më e ulëta në çerek shekullin e fundit. Megjithatë kjo nuk e pengoi Trumpin të fitonte 30 pikë, duke thyer rekordin e paraprakeve në këtë shtet ku në 1988 Bob Dole kishte shënuar një fitore prej 13 pikësh.

Një rezultat i tillë e afron atë me nominimin republikan për presidencialet e këtij viti, edhe pse do të duhen në fakt edhe që njëri nga kandidatët zyrtarisht të bëhet i nominuar për president nga kjo parti. Pavarësisht se muajt e fundit nuk i kishte kursyer kundërshtarët politikë, duke u zotuar për shpagim ndaj tyre, në fjalimin e fitores, Trumpi zgjodhi të përcillte një mesazh uniteti.

“Ne duam të bashkohemi, qoftë nëse jeni republikan, demokrat, liberal apo konservator. Ne do të bashkohemi. Kjo do të ndodhë së shpejti. Unë dua të zgjidh problemet e vendit, por edhe ato të botës”, u shpreh Trump.

Zgjedhjet e Ioeas ai i përshkroi si një përvojë të jashtëzakonshme. “Më thanë se nëse siguroja 12 për qind, do të ishte një fitore e madhe, dhe se kjo do të ishte shumë e vështirë për t’u arritur. Epo, unë mendoj se e kemi dyfishuar këtë rezultat, u shpreh ai ngadhënjimtar. Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis u rendit i dyti teksa ish-ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, u spostua në vend të tretë.

Në 24 shkurt, zhvillohen zgjedhjet paraprake në Karolinën e Jugut, të cilat gjithashtu konsiderohen mjaft të rëndësishme. DeSantis e zhvendosi fushatën e tij atje, ndërsa  Haley po fokusohet në Nju Hempshajër, ku shpreson që të jetë e suksesshme për të fituar mbështetjen e votuesve të pavarur.

Top Channel