Kokaina tashmë po vjen nga vendet e Amerikës jugore drejt Europës, jo vetëm me kontejnerë por edhe me nëndetëse.

Dhe ky plan i mirë-organizuar i trafikantëve u zbulua nga agjentët e antidrogës në Itali dhe karabinierët të cilët vendosën nën përgjim prej dy vitesh një shqiptar, pjesë e një grupi kriminal me bazë në Napoli. Ai komunikonte më një tjetër persona nga Shqipëria, të cilit i sugjeronte se kokaina vetëm nëse transportohej nën ujë nga Panamaja do të ishte 100% e sigurt.

Gjatë hetimeve të kryera policia italiane arriti të identifikojë 29 persona që operonin në dy grupe të ndryshme kriminale por që bashkëpunonin me njëri-tjetrin për shitjen e kokainës në Napoli. Ata u prangosën mëngjesin e kësaj të marte bashkë me shqiptarët. Droga sipas mediave italiane, krahas vendeve të Amerikës Jugore vinte dhe nga Spanja dhe Holanda e më pas shpërndahej në Napoli ku shitej kryesisht në doza të vogla.

Për të shmangur policinë dhe qentë nuhatës, trafikantët sajonin mënyra të ndryshme për të mos u kapur ngarkesat. Ku kryesisht evitonin paketimin në qese. Por për të mos i humbur ngarkesat ata nisën përdorimin e nëndetëseve. Për hetuesit kjo është një fazë e re në të cilën kanë hyrë grupet kriminale, pasi po i bashkohen metodave të sofistikuara, siç ishte rasti i para pak kohëve ku ushtria amerikane zbuloi rastësisht qindra tonelata me kokainë në një nëndetëse. Gjatë operacionit policia italiane sekuestroi armë, kokainë si dhe makina luksoze që përdoreshin nga trafikantët.

Top Channel