SHBA, anulohen 2.000 fluturime! Stuhi e frikshme dimërore, temperaturat -45 gradë

13/01/2024 06:58

Ashtu siç paralajmërohej, një stuhi e fuqishme dimërore ka goditur pjesë të mëdha të SHBA-së, duke sjellë me vete erëra të acarta e reshje të dendura bore, duke shkaktuar një kaos të udhëtimit e duke lënë me mijëra vetë pa energji elektrike.

Një ftohtë arktik e pason gjatë fundjavës sipas meteorologëve që parashikojnë ulje të ndjeshme të temperaturave. Sipas tyre, zhiva e termometrit në disa zona mund të zbresë në minus 45C. Pothuajse 25.4 cm borë e rënë në Iowa, ku cikli zgjedhor i 2024 fillon të hënën, duket se ka ndryshuar rrjedhën e fushatës. Kampi i ish-presidentit Donald Trump të premten anuloi tre nga katër ngjarjet e fushatës personalisht që ai ishte planifikuar të zhvillonte gjatë fundjavës përpara zgjedhjeve paraprake në Iowa.

Kandidatëve të tjerë, përfshirë Nikki Haley dhe Ron DeSantis, u është dashur gjithashtu të anulojnë aktivitetet e fushatës për shkak të motit ekstrem në këtë shtet. Më shumë borë parashikohet për zonën të shtunën, ku pjesa e sipërme e Miçiganit pranë Liqeneve të Madhe mund të afrohet me dy metra borë. . Ekspertët flasin për një “mot dimëror kërcënues për jetën”. Shërbimi Kombëtar i Motit (NËS) ka lëshuar alarme në pothuajse çdo shtet, me reshje të mëdha dëbore nga Oregoni në perëndim e deri në Maine në lindje.

Më shumë se 70 milionë njerëz janë nën alarm nga ngricat, që pritet të thyejnë rekord. Kompanitë ajrore në Shtetet e Bashkuara anuluan më shumë se 2 mijë fluturime e gjendja pritet të përkeqësohet edhe më tej. Linja ajrore ‘Southwest Airlines’ kryeson listën e anulimeve me 401 fluturime, ndjekur nga ‘SkyWest’ me 358.

Top Channel