Personi që mbeti i plagosur këtë të premte në Rrethin e Selitës është vëllai i Adriatik (Andrea) Kalemit, të cilit i janë bërë disa atentate në Greqi.
Kalemajt janë kushërinj me Aleksandër Sadikajn i cili u ekzekutua me tritol në Tiranë.
Kalemi është hetuar edhe për vrasjen e Edmond Papës për hakmarrje.
35-vjeçari Zamir Kalemi u qëllua sot me armë zjarri në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa nuk dihen ende autorët. Ai rezulton i arrestuar në vitin 2020 për përfshirje në lojra fati.
Pista e parë e këtij atentati të dështuar është hakmarrja, pasi vëllai i tij, Andrea Kalemi dyshohet i implikuar në vrasjen e Edmond Papës dhe vrasjen e dy personave në Belgjikë.
Vrasja e Edmond Papës dhe kushëririt të Andrea Kalemit
Prishja e pazareve të drogës dyshohet se fshihet pas vrasjes së Edmond Papës në Tiranë. Kjo është pista kryesore e ngritur nga policia e Tiranës e cila nga verifikimet paraprake dyshon se vrasja e Edmond Papës ka ardhur si kundërpërgjigje e një eliminimi mafioz që i është bërë një kundërshtari të tij gjatë kësaj vere në Tiranë.
Prova kryesore që e shtyn policinë të lidhë dy vrasjet është fakti se Papa dhe kundërshtari i tij janë takuar në Sarandë dy ditë para vrasjes së ndodhur në qershor të këtij viti. Ka dyshime se ky takim mes tyre nuk ka shkuar mirë dhe solli më pas ngjarjen e rëndë. 49-vjeçari u ekzekutua pasditen e së premtes së 16 dhjetorit 2022 në një lokal në zonën e Selitës teksa ishte duke pirë kafe. Megjithëse me profil të ulët, 49-vjeçari dyshohet se ka qenë shumë i implikuar në trafikun e drogës nga Turqia në Shqipëri dhe nga Shqipëria në Angli. Po ashtu ka dyshime se ai merrej me pastrim parash. Nga verifikimet ka rezultuar se Edmond Papa në Shqipëri kryesisht gjatë verës jetonte mes Sarandës dhe Fierit por udhëtonte dhe shpesh jashtë vendit.
Andrea Kalemi është djali i dajës së Aleksandër Sadikajt, të riut të vrarë me tritol më 11 qershor në Tiranë. Kalemi rezulton të ketë lidhje të ngushta shoqërore me Velon dhe Boden. Të dy bashkë me individë të tjerë, familjarë të viktimës Aleksandër Sadikaj, dyshohet se kanë pasur dyshime të vazhdueshme se vrasja e 27-vjeçarit është organizuar në qytetin e Sarandës, pikërisht në hotelin e Edmond Papës. Hoteli menaxhohej dhe nga vëllai i 49-vjeçarit Kristo Qirici. Aleksandër Sadikaj kishte fjetur në këtë hotel dy ditë para se të ekzekutohej me tritol në makinë.
Shkak për konfliktin, sipas babait të Sadikajt është bërë një borxh që Papa i kishte 27-vjeçarit. Më konkretisht, ai i kishte blerë 100 kg hashash disa vite më parë, por nuk ia kishte shlyer të gjitha paratë. Për rrjedhojë, i riu ishte konfliktuar me 49-vjeçarin.
Top Channel