Ngrihet ‘Shtëpia e Biznesit’ në Tiranë/ Rama: Derë e drejtpërdrejtë në tryezën e qeverisë për të adresuar çdo problem

13/01/2024 10:32

Këshillit Ekonomik Kombëtar në mbledhjen e parë të këtij viti njoftoi se është ngritur Shtëpia e Biznesit, struktura më e re në shërbim të dialogut të institucionalizuar mes qeverisë dhe biznesit, e vendosur pranë Kryeministrisë.

“Këtu do të organizohen takime, do të ketë persona të posaçëm për të qëndruar këtu, për të mbledhur problematikat tuaja dhe për t’i adresuar ato nëpërmjet të gjithë strukturave shtetërore. Duhet ta shihni këtë shtëpi, si shtëpinë tuaj, ku mendimet të jepen në mënyrë informale, të thjeshtë, jo burokratike dhe të jetë kjo dera juaj për të zgjidhur problematikat që keni me institucionet shtetërore.” -u shpreh Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit Delina Ibrahimaj, në vizitën e zhvilluar në hapësirën e re, një ditë pas riaktivizimit të Këshillit Ekonomik Kombëtar.

Ndërsa Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij theksoi se “të krijuarit e një ure të tillë dhe të hapurit një dere të tillë, që është një derë e drejtpërdrejtë në tryezën e qeverisë, është rruga më e mirë, më e thjeshtë dhe më e shpejtë për të adresuar problemin.”

Prej kohësh, në të vërtetë, ne kemi pjesë të strukturës të qeverisë një Ministër të Shtetit që i përkushtohet sipërmarrjes, por prej kohësh kemi edhe shqetësimin bashkë me pyetjen pse nuk ka më shumë ndërveprim mes sipërmarrjes dhe kësaj instance që në fakt është e ndërtuar për të qenë një derë avokatie për sipërmarrjen, një derë avokatie ku çdo sipërmarrës mund të trokasë për çdo problem që ka dhe problemet që ju keni janë të natyrave të ndryshme, që nga problemet që lidhen me legjislacionin e sektorit, që nga problemet që lidhen me institucione që i ndeshni në rrugën e procedurave të caktuara, deri tek problemet që janë krejtësisht individuale, të lidhura, në një hap të caktuar të punës, me një ngërç që krijohet për kompanitë tuaja, për njësitë tuaja, si rezultat i një ndërhyrjeje që duhet adresuar, qoftë kur është një ndërhyrje që sjell me vete një shprehje  arbitrariteti në interpretimin e një procesi dhe qoftë kur është një ndërhyrje që sjell me vete dyshimin apo bindjen që është për arsye korruptive.

Unë kam besuar dhe besoj që të krijuarit e një ure të tillë dhe të hapurit një dere të tillë, që është një derë e drejtpërdrejtë në tryezën e qeverisë, është rruga më e mirë, më e thjeshtë dhe më e shpejtë për të adresuar problemin, e përsëris, çdo problem dhe e nënvijëzoj, çdo problem që është nga ato situatat e papëlqyeshme të përballjes me një interpretim të gabuar të administratës apo të përballjes me një person apo me një grup personash që shfrytëzojnë të qenit në funksionin publik për të penguar punën me qëllim që të marrin mbrapsht ryshfetin e tyre.

Tani, një pjesë e madhe e botës së ryshfetit është çmontuar me ndërveprimet digjitale, një pjesë e madhe e andrallave të sipërmarrjes është fashitur sepse shumë ndërveprime të detyruara për shkak të ligjit apo për shkak të proceseve të punës me shtetin, ju i bëni pa asnjë kontakt me askënd dhe shfrytëzoni platformën e-Albania, por prapë se prapë, ka një pjesë tjetër të kësaj bote të vjetër të ryshfetit që është akoma gjallë dhe është e pakuptueshme për mua, sinqerisht, që një sipërmarrës që ka përgjegjësi të madhe, jo vetëm për veten dhe familjen e vet, por edhe për një numër të caktuar punonjësish dhe për familjet e tyre të ngurrojë që të përballet me situata të kësaj natyre në rrugën më të shkurtër dhe në rrugën më të drejtpërdrejtë duke u përballur me vetë qeverinë dhe qeveria e ka krijuar këtë mundësi sepse ka krijuar këtë figurë si pjesë të kabinetit dhe kjo shtëpi e biznesit, – emrin ia ka vënë Delina, nuk ta marr meritën, – pra kjo hapësirë e pagëzuar si Shtëpia e Biznesit në fakt ka lindur nga dëshira e paepur që ne t’ia dalim në realizimin e këtij qëllimi, por edhe nga ideja që mbase vetë fakti që duhet të nisesh të takosh ministrin përkatës, i cili është në një godinë qeveritare e pastaj duhet të kalosh hallka e të tjerë, ka qenë një pengesë. Kështu që ne kemi krijuar  këtë hapësirë ku nuk ka asnjë procedurë dhe asnjë proces për të kapërcyer pragun e derës në mes të harkut, ngjitur me derën e Kryeministrisë, ku është edhe zyra dhe administrata e Ministrit të Shtetit dhe ku do të jenë këtu në këtë hapësirë personat që do të jenë pjesë e strukturës së Sekretariatit të Këshillit Ekonomik Kombëtar, por që vetvetiu pjesë edhe e stafit të ministres në sensin e ndërveprimit”-tha ndër të tjera Rama.

Top Channel