Kosova e Serbia në forumin e Davos/ Nuk përjashtohet dialogu, por jo një takim bilateral Kurti-Vuçiç

13/01/2024 20:04

Gjatë katër ditëve të Forumit Ekonomik në Davos Kosova dhe Serbia do të kenë diskutime edhe për dialogun.

Bashkimi Evropian e ka lënë të hapur mundësinë për takimet ndaras të ndërmjetësit të dialogut Miroslav Lajçak me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiçin. Por e kanë hedhur poshtë mundësinë e takimit bilateral mes përfaqësuesve të palëve.

Sipas njohësve, Lajçaku në takimet e tij do të ketë kërkesat e mëhershme.

“Bashkimi Evropian do të kërkojë respektimin e pikave të marrëveshjes që për Kosovën ka të bëjë me draftin e Asociacionit dhe në anën tjetër janë duke u përgatitur disa masa ndëshkuese ndaj Serbisë që lidhen me kushtet për evropianizimin e saj apo anëtarësimin në Bashkimin Evropian“, tha Dorajet Imeri-njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ajo se çka mund të sjellë forumi në Davos janë takimet e tjera bilaterale me përfaqësuesit e vendeve të bllokut, e këtu kërkohet nga Qeveria të shfrytëzojë mundësinë për të kërkua largimin e masave ndëshkuese.

“Ne si Kosovë duhet të jemi të përgatitur me përgjigje të qarta dhe të sakta e me vizion të qartë me qëllim që të lobojmë për interesat e Kosovës dhe të kuptojmë që nëse Kosova plotëson masat a do të kemi largim të masave dhe a do të kemi mbështetje në integrim në strukturat euroatlantike“, Visar Xani-njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Nga Qeveria e Kosovës nuk e kanë bërë të ditur agjendën e kryeministrit Albin Kurti për takimet e tij në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, punimet e të cilin fillojnë më 15 janar e zgjasin katër ditë.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA