Autori i vrasjes së Gëzim Sinomatit ende në arrati, 30 mijë euro shpërblim për informacionet rreth ekzekutimit

13/01/2024 22:41

30 mijë euro është shpërblimi për informacionet e vlefshme për gjetjen e autorit të vrasjes së 22-vjeçarit Gëzim Sinomati në Vlorë.

Lidhur me ngjarjen e ndodhur më datë 07.01.2024, në lagjen “Hajro Çakërri”, grupi i posaçëm hetimor vijon për gjetjen e autorëve.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë vë në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694173022, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi.

Viktima ishte kthyer vetëm pak ditë para ngjarjes nga Belgjika për të festuar Vitin e Ri pranë familjes. Ai u qëllua me snajper nga persona ende të paidentifikuar, duke ndërruar jetë në vend.

Autorët u larguan nga vendi i ngjarjes, ndihmuar edhe nga errësira, dhe dogjën automjetin tip “BMW” me të cilin dyshohet se kryen krimin. Automjeti u gjet nga policia duke u djegur në lagjen “24 Maji”.

Emri i tij, veçanërisht mbiemri është i njohur për drejtësinë. Para disa kohësh i është vendosur dhe tritol në afërsi te banesës së tij.

22-vjeçari Gëzim Sinomati është djali i Sokol Sinomati i cili njihet me nofkën “buzëderri”. Ai u arratis nga burgu i Peqinit në vitin 2017, pasi kishte marrë leje në burgun e Peqinit dhe nuk u kthye më.

Shpallja e tij në kërkim me kartele jeshile rezulton të jetë kryer në datë 12 shtator 2017. Menjëherë, sapo doli nga burgu, ai mori të vëllain Bernardin dhe djalin adoleshent asokohe dhe u largua nga Shqipëria. Dyshohet se u vendosën në Belgjikë. Në vitin kur ai u arratis, Sokol Sinomati vazhdonte të vuante dënimin për vrasjen e Elton Tatos dhe plagosjen e Robert Borakut, ngjarje që sipas vendimit të gjykatës së Vlorës ka ndodhur në qershor të vitit 2002.

Por ai njihet gjithashtu si ushtar i grupit të Gaxhait tregojnë kartelat e policisë Sokol Sinomati dhe Armando Sulejmani (Cipuri) pavarësisht se u gjetën fajtorë nga shkalla e parë e krimeve të rënda për pjesëmarrje në bandën e armatosur të Gazmir Brakës (Gaxhai), gjykata e lartë në vendimin Nr.48 i shpalli fajtorë vetëm për vjedhje me dhunë.

Kjo mund të jetë pista e parë për vrasjen në Vlorë, por do të jenë hetimet që mund të nxjerrin në dritë të tjera pista.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA