“S’bëjmë pakt me ballista”, kështu deklaroi kryeministri Edi Rama mesditën e sotme, duke i mbyllur derën Partisë Demokratike edhe përsa u përket reformave me shumicë të cilësuar sikurse rasti i Zgjedhores, për të cilën paralajmëroi se nëse opozita nuk shkon në Komision, mazhoranca mund të vazhdojë punën e vetme.
I ndalur te Komisionet Hetimore, juristi Plarent Ndreca tha në “Top Story” se me qasjen ndaj Parlamentit, opozita po tenton të zhbëjë mandatin që ka marrë dhe ta kthejë legjislativin në një institucion rruge.
Sipas Ndrecës, nëse opozita ka pakënaqësira duhet ti drejtohet në mënyrë institucionale kushtetueses. Në kundërpërgjigje, demokrati Dashnor Sula ka sqaruar arsyet pse nuk është ndërmarrë një vendim i tillë nga pala opozitare.
Ndreca: Gjithë qasja politike që bën opozita në Parlament tenton të zhbëjë mandatin që ka marrë dhe ta ktheje në një institucion rruge. Në qoftë se ti ndez zjarr në institucionin më të lartë të shtetit shqiptar, kjo nuk është sjellje prej opozite. Tani mund të jetë sjellje opozite sepse opozitë sot bënë edhe një OJQ, por nuk është sjellje prej të mandatuari. Opozita në institucion nuk po sillet në mënyrë institucionale.
Për mosmarrjen e Komisioneve Hetimore u është dhënë nga Kushtetuta instrumenti për t’u mbrojtur. Unë akoma nuk shoh një goditje në Gjykatë Kushtetuese. Nëse mazhoranca nuk sillet në mënyrë institucionale ne kemi një shtet të së drejtës, le të kërkohet e drejta aty. Ky është diferencimi mes një shteti të së drejtës me një shtet anarkik.
Sula: Jo se ne nuk mund ti drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, por nuk e kemi mundësinë sepse prej 20 vitesh Kushtetuesja i ka mbyll të gjitha argumentat. Nga 2003 deri në vitin 2023… Kemi vendimin e Kushtetueses në 2003, në 2007 dhe 2013. Në kohën kur PS ka qenë në opozitë i është drejtuar Kushtetueses për Komisionet Hetimore duke i konsideruar një të drejtë të opozitës dhe nuk thotë të opozitës, por të pakicës parlamentare, pra ¼ e numrit të deputetëve që duhen për ngritjen e një Komisioni. Kushtetuesja ka marrë vendimin në 2003 ku thotë që “po është një e drejtë e pamohueshme, e panegociueshme”. Por në 2007-ën ka folur ndryshe duke thënë nëse shumica nuk e mbështet objektin e Komisionit Hetimor, ajo duhet të ulet me pakicën për të diskutuar rreth kësaj.
Këtë gjë ata (*mazhoranca e sotme) nuk e kanë bërë kurrë, absolutisht. Në 2014-ën, sa i përket asaj që këta thonë për ndjekjen penale, Kushtetuesja është shprehur dhe thotë që “është tjetër gjë ndjekja penale dhe tjetër gjë hetimi parlamentar”.
Vlen të theksohet se, kryeministri Edi Rama u shpreh sot se për reformat për të cilat kërkohet shumicë e cilësuar me 84 vota në Parlament, do të synohet arritja e konsensusit me opozitën, por nëse kjo e fundit nuk ka vullnet do të kërkohen mënyra të tjera, siç ndodh në Europë. Shembull konkret kreu i qeverisë solli komisionin e Reformës Zgjedhore.
Top Channel