Miliona mikroplastika të mistershme ndotin plazhet e Galicisë në veri të Spanjës

09/01/2024 17:57

Komunitetet përgjatë brigjeve të veriut të Spanjës i tremben tashmë një katastrofe mjedisore teksa miliona pjesëza mikroplastikash janë shfaqur në ujin e tyre.

Zhvillimi vjen teksa më shumë se 1,000 thasë me mbushje të tilla plastike, kanë rënë në mënyrë të mistershme nga transportuesja Toconao më 8 dhjetor, që operonte për grupin danez Maersk.

Qindra vullnetarë kanë dalë për të punuar në pastrimin e ndotjes masive në rajonin veri-perëndimor të Galicisë.

Copëzat e plastikës përdoren si lënda e parë me të cilën prodhohen shishe, qese apo materiale të tjera konsumi.

Një alarm i ngjashëm është dhënë dhe për bregdetin e Asturias më në lindje, shkruan rrjeti BBC.

Zyrtarët kanë thënë se gjashtë konteinerë kanë rënë çuditërisht nga transportuesja me flamur liberian, Toconao, rreth 80km larg Viana do Castelo në veri të Portugalisë.

Një prej konteinerëve mbante 26,000kg me mbushje të tilla plastike, ndërsa të tjerët kishin qese plastike ambalazhi, goma dhe një me ushqime në kanaçe.

Dhjetra komunitete në veri të Spanjës kanë parë valën e bardhë të plastikave ndotëse që vijnë nga deti që prej mesit të muajit të shkuar.

Zona më e prekur është ajo pranë portit të Noia në Galici ndërsa dhe peshkatarët në Vigo kanë punuar për largimin e ndotjes masive plastike në Atlantik, edhe pse deti i ashpër e ka bërë punën të vështirë.

Zëdhënësi i kompanisë Maersk, Rainer Horn tha se ishin të keqardhur për aksidentin dhe do të kryenin hetime.

Kriza e fundit për komunitetet veriore bregdetare spanjolle është e ngjashme me katastrofën e  2002, kur çisterna Prestige pas një avarie derdhi në brigjet e Galicisë më shumë se 60,000 ton karburant.

Plastika e derdhur në det nuk është e degradueshme dhe ato që nuk do të mblidhen dot do të mbeten në det për shekuj me radhë, duke ndodhur zinxhirin ushqimor.

Rreth 300 milionë ton material i tillë plastik prodhohet në të gjithë botën dhe dy të tretat  përfundojnë në oqeane, shkruan BBC.

FOTO GALERI
1/4
Qindra vullnetarë kanë dalë për të punuar në pastrimin e ndotjes masive në rajonin veri-perëndimor të Galicisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA