Kush e vrau Gëzim Sinomatin? Pista kryesore, e shkuara e errët e të atit, kontroll në banesat e kundërshtarëve (Detajet e hetimit)

09/01/2024 11:31

Teksa nuk kanë kaluar 48 orë nga ngjarja e rëndë e ekzekutimit mafioz të 22-vjeçarit, Gëzim Sinomati, familja e tij ka lajmëruar zyrtarisht zhvillimin e ceremonisë mortore të të riut këtë të martë.

Autoritetet kanë konfirmuar zyrtarisht pjesëmarrjen në të të babait të viktimës, Sokol Sinomati, i cili ka kërkuar lejen e autoriteteve për të qenë i pranishëm, pasi gjendet aktualisht duke vuajtur dënimin në burgun e Fushë Krujës për arratisje. Sokoli është dënuar me 25 vite burg.

Gjatë orëve të fundit, blutë e Vlorës kanë kontrolluar dhjetëra banesa dhe rezidenca në Vlorë dhe Selenicës të eksponentëve kryesorë të njohur si kundërshtar të Sinomatit ndër vite. Mbi 20 persona janë shoqëruar aktualisht, por deri më tani asnjë urdhër ndalimi nuk është konfirmuar nga policia.

Grupi hetimor ka ndarë detaje mbi armën e krimit, të dala nga ekzaminimi balistik i gëzhojës së gjetur në vendngjarje dhe asaj në trupin e viktimës. Ekzekutimi është kryer me një snajper me gëzojë të kalibrit 7 mm dhe precizion deri në 1 mijë metra.

Pistat e konfirmuara zyrtarisht lidhen me të shkuarën kriminale të Sokol Sinomatit, babait të viktimës  dhe aktivitetin e tij të pas viteve 97-të.

Gjatë viteve të fundit “Banda e Belgjikës”, është sulmuar disa herë ku numëron 6 anëtarë të zhdukur ose humbur mes viteve 2014-2016 dhe 4 të vrarë në atentatet e vitit 2019-2020 duke përfshirë edhe ngjarjen e djeshme.

Por, autoritet nuk përjashtojnë as vrasjen me motive të konflikteve të kohëve të fundit në Belgjikë  për një sasi të vjedhur të kokainës, ku  rezultojnë të vrarë dy persona gjatë muajve të fundit.

Top Channel