Ish-ministri Ilir Beqaj ka dalë nga ambientet e SPAK pas tetë orësh e gjysmë.
Në një prononcim për mediat, ai tha se mori konfirmim nga prokurorët se do t’i kthehen sendet e sekuestruara në kuadër të hetimit që po bëhet për këtë çështje.
“Nisja e atyre çfarë pretendohet në masën e sigurisë ndaj meje, janë raportet e KLSH-së. Gjithashtu besoj se hetimet, janë ende shumë të ngushta. Është e domosdoshme që ato të shtrihen në dy pjesë. Së pari, nga marsi i 2011 deri në shtator 2013 për të hetuar pse dy vite e gjysmë u mbajt në qese ai central dhe nuk u vu në punë.
Por, tashmë janë bërë 8 vjet nga zbatimi i kontratës për të hetuar kush janë përfitimet e drejtpërdrejta të qytetarëve dhe buxhetit të shtetit nga zbatimi i kësaj kontrate. Sot komunikuam me prokurorët dhe më konfirmuan që do të kem ato sende që mu sekuestruan më 28 tetor, por që lidhin me vazhdimin e sterilizimit, dy dokumente udhëtimi me jashtë shtetit që sot i mora dhe e dyta pasi të përfundojnë inspektimet elektrike të pajisjeve do të më kthehen. Sot u sqarua që gazi dhe aneksi 8, kanë lidhje me sterilizimin dhe asgjë tjetër”, tha Beqaj për mediat.
Ish-ministri u paraqit në SPAK që në mëngjes, rreth orës 09:00, i shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës.
Gazetarja Anila Hoxha raportoi më parë se ai u pyet në cilësinë e personit ndaj të cilit po kryhen hetime për dyshimet e shpërdorimit të detyrës, ndryshe nga herët e tjera kur është pyetur në cilësinë e një personi në dijeni dhe më tej si një person ndaj të cilit po kryhen hetime.
Situata e ish-ministrit të Shëndetësisë, u rëndua gjatë muajit nëntor 2023, pak muaj pasi SPAK mori aprovimin e gjykatës për caktimin e masave të sigurimit personal, arrest me burg për biznesmenin Ilir Rrapaj.
Beqaj vazhdimisht ka deklaruar se vetëm ka kryer detyrën, ndonëse nga ana tjetër SPAK disponon dokumente, nga të cilat dyshon se Beqaj me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka shpërdoruar detyrën.
Nga ana tjetër, Gjykata e Posaçme ka mbajtur një qëndrim më të ashpër ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, duke kërkuar që ndaj tij të kryhet edhe hetim pasuror, madje ka lëshuar indicie se provat e dhëna nga SPAK çojnë në dyshimet se ish-ministri i Shëndetësisë mund të ketë falsifikuar dokumentet dhe ekziston mundësia që të ketë kryer edhe korrupsion.
Megjithatë, aktualisht ndaj Beqaj është në fuqi masa “detyrim paraqitje”. Çdo të premte, ai duhet të paraqitet në 15:30 para oficerit të BKH-së.
Top Channel