Gjykata e Lartë refuzon rekursin e avokatëve të kompanisë, nuk pranon heqjen e sekuestrimit të Inceneratorit të Tiranës

09/01/2024 17:21

Gjykata e Lartë ka refuzuar ditën e sotme të lirojë nga sekuestroja inceneratorin e Tiranës.

Gjyqtarët nuk kanë pranuar rekursin e avokatëve të kompanisë “Integrated Energy B.V SPV”, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi  “sekuestro preventive” për inceneratorin e Tiranës me kërkesë të SPAK, më 1 gusht të vitit që lamë pas.

SPAK e kërkoi sekuestron pasi po kryen hetime për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Prokuroria e Posaçme pa se nga provat e marra gjatë hetimit ka rezultuar se, shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V S PV”.

Nga aktet e administruara, sipas SPAK, rezulton se Klodian Zoto, në bashkëpunim me  Mirel Mërtiri, kanë përfituar në sajë të faturave tatimore të falsifikuara, vlerën monetare 409,428,000 (katërqind e nëntë milion e katërqind e njëzet e tetë mijë) lekë.

Klodian Zoto sipas prokurorëve të SPAK  është paraqitur dhe ka deklaruar fatura të falsifikuara për punime të kryera nëpërmjet shoqërisë tjetër të tij “Integrated Energy Services”  si nënkontraktor i shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V. S.P.V.”

“Në kohën e lëshimit të këtyre faturave të falsifikuara, provohet se aksionerë “de facto” kanë qenë shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri”  bën me dije spak, duke evidentuar  se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri zotërojnë në mënyrë indirekte shoqërinë “F.M.O.” sh.p.k.

Nga hetimi janë mbledhur prova se këta shtetas, duke shfrytëzuar përfitimet e paligjshme kanë blerë për llogari të subjektit “F.M.O.” sh.p.k., një pasuri të paluajtshme, me sipërfaqe 611 m2, me vlerë 1 000 000 Euro, e ndodhur në qytetin e Durrësit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA