Fermerë të zemëruar gjermanë kanë bllokuar sot me traktorët e tyre urën mbi lumin Elba në Saksoni ne lindje, teksa protestojnë kundër heqjes së subvencioneve bujqësore nga qeveria.
Veprime të ngjashme janë zhvilluar prej disa ditësh në qendrat e qyteteve Berlin, Hamburg Koln teksa është përshkallëzuar konflikti fermerëve për heqjen e reduktimeve taksore për bujqësinë.
Demonstrata e koordinuar kombëtare është përqendruar në hyrjet e autostradave dhe rrugëve kryesore teksa vjen pas një demonstrate me përplasje dhe reagime të ashpra nga policia muajin që shkoi në Berlin.
“Ne po ushtrojmë të drejtën tonë për të informuar shoqërinë dhe qeverinë se sektori bujqësor duhet të ruajë forcën e tij, kjo është e vetmja mënyrë për të siguruar ushqimin tonë cilësor”, tha kreu i shoqatës së prodhuesve Joachim Rukwied për rrjetin Stern.
Policia raportonte bllokime dhe trazira serioze trafiku prej karvanëve të traktorëve në të gjithë Gjermaninë prej mëngjesit.
Zyrtarët në shtetin rural verior Mecklenburg-Pomerania tha se të gjitha kryqëzimet e autostradave ishin bllokuar.
Ndërsa mjetet bujqësore kishin bllokuar gjithashtu qytete si Berlin, Hamburg, Koln e Bremen, me rreth 2,000 traktorë të regjistruar për çdo protestë.
Fermerët janë ngritur kundër planeve të qeverisë për të ndaluar këtë vit lehtësirat taksore për sektorin bujqësor.
Muajin që shkoi mijëra fermerë udhëtuan drejt Berlinit duke bllokuar rrugët me traktorë e duke lëshuar pleh bujqësor në rrugët para ministrive.
Teksa diskutimet e bujqësisë vazhdojnë, zyrtarët kanë thënë se heqja e subvencionit të karburantit do të realizohet gradualisht në disa vite dhe jo menjëherë.
Masa e qeverisë vjen pas një vendimi shokues gjykate që detyronte qeverinë të kursente për buxhetin e vitit 2024, shkruan rrjeti AFP.
Top Channel