Familjarët e Bedrie Lokës ishin të gjithë të vetëdijshëm për dhunën që Xhemal Loka ushtronte vazhdimisht ndaj 41-vjeçares.
Në dosjen e prokurorisë, siguruar nga Top Channel, renditen dëshmitë e vëllezërve të së ndjerës, të cilët njëzëri pranojnë se motra e tyre dhunohej, madje gjendja ishte rënduar gjatë dy viteve të fundit.
Pandeli Bushi: Që në mars 2000, që kur është martuar motra ime, ai e ka trajtuar keq. E ka dhunuar disa herë fizikisht. Besoj se këtë veprim e ka bërë vetëm prej dhunës së Xhemalit dhe nuk ka lidhje me TikTok.
Mahmut Bushi: Kam dyshime dhe kam bindje se motra ka pirë helm për shkak të marrëdhënies, presionit që kishte nga bashkëshorti i saj. E njoh shumë mirë Xhemalin, ai ka qenë i dhunshëm dhe nuk e ka trajtuar mirë motrën, sidomos këto dy vite. Këtë fakt që ai nuk e trajtonte mirë, ma ka thënë motra ime disa herë dhe i kam thënë Xhemalit shumë herë që të mos e keqtrajtonte motrën time.
Xhim Bushi: Ajo e ka bërë këtë veprim vetëm prej dhunës së bashkëshortit Xhemal Loka. Ata i kanë pasur marrëdhëniet shumë keq, atë gjë e ka ditur shumë mirë mbesa ime Rosalinda. Mendoj se ajo e di historinë e kësaj pune, por ajo nuk tregon menjëherë, se normalisht i vjen keq për babanë e vet.
Dhimitër Bushi: Motra ime i ka pasur shumë keq marrëdhëniet me burrin e saj. Madje, edhe ditën e ngjarjes, Xhemali e ka dhunuar motrën time.
Ndërsa vetë Xhemal Loka ka deklaruar se “fajtori” i vetëm është “TikTok”. Sipas tij, gruaja vrau veten për shkak të profileve denigruese që kishin një vit që qarkullonin në rrjetin social.
Xhemal Loka: Prej një viti, ajo nuk ndihej mirë, për shkak të një adrese në TikTok, që i kishin hapur. Sipas meje, këtë veprim, Bedrija e ka bërë vetëm për shkak të adresës që i kanë hapur në TikTok.
Top Channel