Si kanë ndryshuar urimet për festa! Nga kartolinat te mesazhet dhe videot që na vijnë me telefon

07/01/2024 19:58

Kartolinat janë zëvendësuar me urime virtuale. Digjitalizimi ka ndryshuar shkrimet festive nga urimet e letrës me mesazhe në rrjete sociale.

Për sociologët kartolinat në internet zhvlerësojnë deri diku vlerën e urimit, pasi ndodh që ato të kopjohen e t’iu dërgohen shumë njerëzve në të njëjtën kohë me të njëjtat fjalë. Mirëpo ana pozitive është se teknologjia i afron më shumë njerëzit për festa, me urimet me video pavarësisht largësisë.

 “A kemi ne mundësi të formulojmë urime të veçanta për secilin? Vështirë të personalizohen sepse do shumë kohë. Për hir të vërtetës ka një standardizim të urimeve. Mesazhet që jepen përmes pajisjeve elektronike kursejnë kohë”, shprehet sociologu Zyhdi Dervishi.

Gjithashtu shqiptarët kanë shndërruar mënyrën e mbledhjes për darka festive. Përgjithësisht jo më me grumbullime të mëdha dhe zgjedhin të vizitojnë vende të reja.

 “Shoqëria shqiptare ndodhet mes dy trysnive, tradicionalitetit dhe modernitetit. Moderniteti reflektohet te rritja e shkallës së individualizimit të mënyrës së jetesës, edhe largimit e fizikisht nga njëri tjetri. Festimet në grupe më të vogla familjare  bën që njerëzit të shohin më shumë hapësira të botës, të njohin vende të reja, kultura festive të tjera, kulinarinë”, u shpreh sociologu.

Nga ana tjetër, sociologët  vënë re se gjatë pushimeve të festave shqiptarët mbushin plot kafenetë, duke mos e shfrytëzuar kohën e lirë në të mirë të vetes.

“Nuk e mendoj dot një pushim kot, njeriu pushon nga një punë e caktuar, nga rutina, në pushim zyrtar. Por mund të plotësojë kulturën, të lexojë një roman, poezi, të shkoj në opera, të shoh një film. Nuk ka pse njerëzit të kalojnë kohë të gjatë në kafe duke bërë muhabet për të shtyrë kohën. Termi shty kohën më duket i frikshëm. Koha është flori dhe nuk duhet shpërdoruar”, u shpreh sociologu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA