Luftime në pjesën jugore të Gazës, teksa Izraeli njoftoi tërheqjen e mijëra trupave nga zona të tjera

02/01/2024 17:10

Në qytetin Khan Younis, në pjesën jugore të Gazës, kanë vazhduar luftimet e ashpra, një ditë pasi Izraeli njoftoi se do të tërhiqte mijëra trupa nga Gaza.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është zotuar se do të vazhdojë luftën derisa grupi militant palestinez Hamas të shkatërrohet dhe të lirohen më shumë se 100 pengjet që ende mban në Gazë, duke thënë se mund të duhen edhe disa muaj të tjerë për të arritur këtë qëllim. Por përpara një vizite në rajon nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, Izraeli është nën trysninë ndërkombëtare në rritje për të zvogëluar ofensivën që sipas të dhënave të Hamasit, që nuk janë konfirmuar nga burime të pavarura, ka shkaktuar rreth 22,000 viktima mes palestinezëve. Zoti Blinken i ka kërkuar Izraelit të bëjë më shumë për të mbrojtur civilët palestinezë.

Në një zhvillim tjetër, Gjykata e Lartë e Izraelit rrëzoi një komponent kyç të reformës në drejtësi të Kryeministrit Netanyahu. Përpjekjet e qeverisë së zotit Netanyahu për reformimin e gjyqësorit kishin ndarë thellë izraelitët duke vënë në rrezik gatishmërinë e ushtrisë. Vendimi shihet si një goditje fatale për planin e refomës gjyqësore.

Zoti Netanyahu dhe aleatët e tij nuk ka gjasa të merren sërish me reformën gjatë kohës së luftës. Pritet gjerësisht që në Izrael të zhvillohen zgjedhje të reja pas luftës, për shkak të zemërimit të popullsisë për dështimin e organeve të zbulimit të parashikonin sulmin e Hamasit, çka mund të çojë në një rezultat të dobët për ata që janë tani në pushtet.

Vendimi i gjykatës mund të ndihmojë ndërkohë Izraelin të shmangë akuzat për gjenocid në Gazë të bëra nga Afrika e Jugut në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. GJND-ja dhe gjykatat e tjera ndërkombëtare marrin në konsideratë pavarësinë e gjyqësorit të një vendi, para se të vendosin nëse do të ndërhyjnë apo jo.

Trupat tërhiqen, por lufta vazhdon 

Ushtria tha të hënën se pesë brigada, ose disa mijëra trupa, do të largohen nga Rripi i Gazës në javët e ardhshme. Lufta ka dëmtuar ekonominë duke i penguar rezervistët të shkojnë në punë, të drejtojnë bizneset e tyre ose të vazhdojnë studimet universitare. Ushtria nuk ka thënë publikisht nëse tërheqja pasqyron një fazë të re të luftës, megjithatë ajo është në përputhje me planet e udhëheqësve izraelitë për një fushatë me intensitet të ulët që përqëndrohet në qendrat e mbetura nën kontrollin e Hamasit dhe që mund të zgjasë për pjesën më të madhe të vitit.

Izraeli ka thënë se është afër kontrollit të plotë mbi pjesën më të madhe të zonave në veri të Gazës, duke zvogëluar nevojën për forca atje. Megjithatë, luftimet e ashpra kanë vazhduar në zona të tjera, veçanërisht në jug, ku shumë nga forcat e Hamasit mbeten të paprekura dhe ku janë zhvendosur shumica e 2.3 milionë banorëve të Gazës.

Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant njoftoi të hënën në mbrëmje se banorët nga shtatë komunitete izraelite pranë Gazës mund të kthehen në shtëpitë e tyre së shpejti, një nga shenjat më të qarta që ushtria ndjen besim se ka minimizuar kërcënimin e lëshimit të raketave nga kjo pjesë e Gazës. Komunitetet ndodhen 4 deri në 7 kilometra nga kufiri. Palestinezët raportuan sulme të rënda ajrore dhe bombardime artilerie gjatë natës dhe të martën në qytetin jugor të Khan Younisit dhe zonat bujqësore në lindje, pranë kufirit me Izraelin. Luftimet ishin gjithashtu duke u zhvilluar në dhe rreth kampit të refugjatëve Bureij në pjesën qendrore të Gazës.

Edhe në qytetin e Gazës, i cili ka qenë kryesisht i shpopulluar dhe ku trupat tokësore izraelite janë duke luftuar me militantët për më shumë se dy muaj, banorët thanë se kishte përleshje në lagje të ndryshme, si dhe në kampin e refugjatëve Jabaliya.

Lufta filloi pasi sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor në pjesën jugore të Izraelit gjatë të cilit militantët palestinezë vranë 1200 persona dhe morën 240 pengje. Izraeli u përgjigj me një ofensivë ajrore, tokësore dhe detare që sipas të dhënave të Hamasit, që nuk janë konfirmuar nga burime të pavarura, ka vrarë më shumë se 21,900 njerëz në Gazë. Të dhënat e autoriteteve të Hamasit në Gazë nuk bëjnë dallim midis civilëve dhe luftëtarëve të tyre të vrarë. Ushtria izraelite thotë se 173 ushtarë nga radhët e saj kanë vdekur që nga fillimi i operacionit tokësor.

Izraeli thotë, pa dhënë prova, se më shumë se 8,000 militantë janë vrarë. Ai fajëson Hamasin për numrin e lartë të vdekjeve të civilëve, duke thënë se militantët janë futur brenda zonave të banuara, duke përfshirë shkollat dhe spitalet.

Vendimi kundër reformës gjyqësore mund të ndihmë Izraelin të shmangë akuzat për Gjenocid

Vdekja dhe shkatërrimi i përhapur i paprecedentë në konfliktin shekullor të Lindjes së Mesme bëri që Afrika e Jugut të ngrejë një çështje kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke e akuzuar atë për gjenocid, që synon “të shkatërrojnë palestinezët në Gazë”. Izraeli i hodhi poshtë akuzat.

Afrika e Jugut i kërkoi gjykatës me bazë në Hagë javën e kaluar të lëshojë një urdhër të përkohshëm që Izraeli të pezullojë menjëherë operacionet ushtarake në Gazë. Çështja, nëse vazhdon, do të zgjasë me vite, por një urdhër i përkohshëm mund të lëshohet brenda javësh.

Është e paqartë se çfarë efektesh konkrete do të kishte një vendim i GJND-së kundër Izraelit, por ka të ngjarë të izolojë vendin politikisht dhe ekonomikisht. “Izraeli nuk mund ta injorojë vendimin”, tha Barak Medina, profesor i drejtësisë në Universitetin Hebraik të Jerusalemit.

Ai shton se vendimi i Gjykatës së Lartë kundër reformës gjyqësore mund të forcojë çështjen e Izraelit duke treguar se ka “një gjykatë aktive dhe të pavarur” që mund ta mbajë qeverinë përgjegjëse. Ndërkaq, vetë reforma gjyqësore duket se ka dështuar. Profesor Medina thotë se vendimi i Gjykatës së Lartë për të rrëzuar një pjesë kyçe të ndryshimeve të propozuara e bën të pamundur që gjykatat të lejojnë të zbatohen pjesët e tjera të reformës.

Koalicioni i Kryeministrit Benjamin Netanyahu mund të propozojë një version të ri, por ai do të duhej të miratohej nga parlamenti, një proces që do të rihapte ndarje të thella brenda shoqërisë izraelite dhe do të ngjallte edhe më shumë zemërim ndaj kryeministrit, i fajësuar tashmë nga shumë për dështimin për të parandaluar sulmin e 7 tetorit./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA