Merkatoja e verës u dominua nga fenomeni Arabi Saudite, me klubet e këtij vendi që arritën të transferojnë një numër të konsiderueshëm të yjeve që aktivizoheshin në futbollin europian.

Megjithatë nuk munguan transferimet e bujshme edhe në ligat kryesore europiane, ku ndër to evidentohet kalimi i Harry Kane nga Tottenham te Bayerni i Mynihut, apo i Jude Bellingham nga Borussia Dortmund te Real Madrid.

Prestigjozja “Goal.com” ka përgatitur edhe një listë me 15 transferimet më të goditura të merkatos së verës, duke analizuar raportet e çmimit të paguar me performancën në fushë të futbollistëve.

15. Sergino Dest – PSV (Huazim)

Pas një aventure të dështuar te Barcelona dhe te Milani në huazim, futbollisti amerikan u rikthye te PSV Eindhoven në huazim dhe po shkëlqen nën drejtimin e Peter Bosz. Mbrojtësi i djathtë shkëlqeu fillimisht te Ajaxi dhe duket se në Holandë arrin të japë më të mirën, teksa PSV ka marrrë në huazim një futbollist që po jep një kontribut të jashtëzakonshëm në fushë.

14. Francesco Acerbi – Inter (3.5 milionë Euro)

Pas një sezoni perfekt vitin e kaluar në huazim, Interi vendosi të paguajë 3.5 milionë euro për kartonin e tij në arkat e Lazios. Një shifër e justifikuar plotësisht nga një futbollist që pavarësisht viteve mbi supe, ka treguar një qëndrueshmëri fizike për t’u admiruar dhe është shndërruar në një pikë kyçe të prapavijës zikaltër.

13. Lois Openda – Leipzig (45 milionë euro)

Shënoi 21 gola sezonin e kaluar me Lens dhe u transferua te Leipzig për 45 milionë euro, për të zëvendësuar Christopher Nkunku. Deri tani paraqitja ka qenë tejet bindëse, me Opendën që ka shënuar 15 gola në 24 ndeshje dhe falë moshës së tij të re, vetëm 23-vjeç, po tërheq vëmendjen e shumë klubeve të mëdha europiane.

12. Guilielmo Vicario – Tottenham (20 milionë euro)

Shumë skuadra në Premier League shpenzuan për të përforcuar portën këtë verë, por ekipi më krenar për investimin është padyshim Tottenhami, që mori Vicarion nga Empoli për 20 milionë euro. Nëse Onana, Raya dhe Robert Sanchez po kapin faqet e para për gafat e tyre, Vicaroi është shndërruar në një nga pikat më të forta të Tottenhamit dhe me pritjet e tij vendimtare, u ka dhënë jo pak pikë londinezëve.

11. James Maddison – Tottenham (50 milionë euro)

Pas rënies nga kategoria të Leicesterit, Maddison u shndërrua në objektiv merkatoje për shumë klube, por Tottenham nxitoi dhe pagoi 50 milionë euro për ta marrë në Londër. Paraqitja e fantazistit ka qenë në kufijtë e perfektes me 3 gola dhe 5 asiste në 11 ndeshje në Premier League, duke konfirmuar se është gjithashtu një nga udhëheqësit në fushë të “Spurs’-ave.

10. Isco – Betis (Parametra zero)

Dukej se kishte humbur shkëlqimin që te Reali i Madridit, por fantazisti spanjoll është rikthyer ai i kohëve të arta. Luan me buzëqeshje në fytyrë dhe është një kënaqësi për t’u parë, teksa në jo pak takime është zgjedhur edhe “Më i miri i ndeshjes”.

9. Declan Rice – Arsenal (120 milionë euro)

“Topçinjtë” investuan jo pak për të marrë në skuadër kapitenin e West Hamit, megjithatë deri tani Rice po justifikon çdo cent të paguar për të. Anglezi është një digë e vërtetë para mbrojtjes, duke ruajtur ekuilibrat e skuadrës dhe diktuar lojën, teksa jo rrallë merr pjesë edhe në aksionet sulmuese.

8. Savio – Girona (Huazim)

Historia e tij është unike dhe moderne. Një futbollist që po shkëlqen në La Liga, ashtu si skuadra e Gironës, por që te spanjollët është thjesht në huazim nga Troyes. E veçanta është se si francezët, ashtu edhe Girona janë në pronësi të City Football Group, i njëjti grup që mban pronësinë e Manchester City-t dhe së fundi të Dinamos në Shqipëri.

7. Alex Grimaldo – Bayer Leverkusen (Parametra zero)

Skuadra e drejtuar nga Xabi Alonso bëri ‘bingo’ kur e mori në verë si futbollist të lirë, pasi 28-vjeçari spanjoll po shkëlqen në krah, duke shënuar 7 gola dhe dhënë 5 asiste në 12 ndeshje të luajtura në Bundesligë. Grimaldo është rritur në akademinë e Barcelonës dhe po tregon se është gati të rikthehet në “Camp Nou”, por këtë herë katalanëve do t’u duhet të paguajnë jo pak në arkat e gjermanëve.

6. Daley Blind – Girona (Parametra zero)

Me një karrierë të lavdishme, duke veshur fanellat e skuadrave si Ajax, Manchester United e Bayern Mynih, Blind i solli Gironës të gjithë eksperiencën e tij, duke u rreshtuar në qendër të mbrojtjes me tre dhe duke ngritur një mur para portës. Është padyshim një nga protagonistët e suksesit të Gironës që po befason Spanjën dhe mbarë botën në këtë sezon.

5. Victor Boniface – Bayer Leverkusen (25 milionë euro)

“Aspirinat” luajnë një futboll sulmues dhe 22-vjeçari nigerian është udhëheqësi i repartit. Shumë ishin skeptikë kur panë Leverkusenin të paguante 25 milionë euro për ta marrë nga St. Gilloise, kur kishte shënuar vetëm 9 gola në një sezon. Megjithatë nën urdhrat e Xabi Alonsos nigeriani po shkëlqen, duke shënuar 16 gola në 23 ndeshje mes kampionatit, kupës dhe Europa Leagues. Në janar do të luajë në Kupën e Afrikës dhe do t’u mungojë jo pak gjermanëve.

4. Marcus Thuram – Inter (Parametra zero)

Francezit i përfundoi kontrata me Borussia Monchengladbach dhe ndonëse kishte oferta të shumta, zgjodhi të veshë fanellën zikaltër. Askush në kampin milanez nuk e priste një impakt të tillë të Thuram, që në 21 ndeshje ka shënuar 8 gola, ka dhënë 6 asiste dhe ka fituar 5 penallti, duke bërë që te Interi të harrojnë emra si Lukaku e Dzeko.

3. Serhou Giurassy – Stuttgart (9 milionë euro)

Pas një huazimi 6-mujor, Stuttgard vendosi të blejë kartonin e Giurassy për 9 milionë euro dhe deri tani sulmuesi ka justifikuar totalisht investimin. 19 gola në 16 ndeshje për 27-vjeçarin francez, që me paraqitjen e tij po tërheq vëmendjen e shumë klubeve europiane, të cilat janë gati të paguajnë deri në 5 herë më shumë sesa Stuttgarti shpenzoi për ta blerë nga Rennes.

2. Harry Kane – Bayern Mynih (100 milionë euro)

Një telenovelë e vërtetë verore ajo e sulmuesit anglez, që më në fund u transferua në Mynih për plot 100 milionë euro. Bavarezët zgjodhën pikërisht Kane për të mbushur boshllëkun e lënë nga Lewandowski dhe me 25 gola në 22 ndeshje, sulmuesi anglez ka përmbushur të gjithë pritshmëritë dhe ka justifikuar investimin.

1. Jude Bellingham – Real Madrid (103 milionë euro)

Tre sezone te Borussia e Dortmundit i mjaftuan talentit anglez që jo vetëm të fitojë eksperiencën e nevojshme, por edhe të shtojë adhuruesit në mbarë Europën. Garën e fitoi Reali i Madridit, që pagoi më shumë se 100 milionë euro, por Bellingham po e justifikon në mënyrë perfekte, duke bërë jo vetëm punën si mesfushor, por edhe bomberin me 7 gola të shënuar në 21 ndeshje. Dy në një për Realin, që vetëm falë Bellingham nuk po e ndjen aspak largimin e Benzema./ Super Sport

Top Channel