Anketimi: Më shumë amerikanë mendojnë se politika e jashtme duhet të jetë përparësi e SHBA-ve

02/01/2024 08:39

Në këto kohë konfliktesh jashtë vendit, më shumë amerikanë mendojnë se politika e jashtme duhet të jetë një përqendrim kryesor i qeverisë amerikane në vitin 2024, sipas një sondazhi të ri që tregon se për publikun po marrin më shumë rëndësi çështjet ndërkombëtare dhe emigracioni.

Rreth 4 në 10 amerikanë të rritur përmendën çështje të politikës së jashtme, kur iu kërkua të shpreheshin mbi deri në pesë çështje për të cilat qeveria duhet të punonte vitin e ardhshëm, sipas një sondazhi të muajit dhjetor nga agjencia e lajmeve Associated Press dhe Qendra për Studimin e Çështjeve Publike, NORC.

Kjo është rreth dyfishi i atyre që përmendën këtë çështje në sondazhin e kryer vitin e kaluar nga Associated Press dhe NORC.

Shqetësimet mbi ekonominë ende lënë në hije çështje të tjera. Por gjetjet e sondazhit të ri tregojnë shqetësim në rritje mbi përfshirjen e Shteteve të Bashkuara për çështje jashtë shtetit – 20 për qind e shprehën këtë shqetësim në sondazh, kundrejt 5 për qind, një vit më parë.

Të dhënat gjithashtu tregojnë se lufta Izrael-Hamas po nxit ankthin publik. Konflikti u përmend nga 5 për qind e të anketuarve, ndërkohë që pothuajse askush nuk e përmendi një vit më parë. Çështja ka mbizotëruar gjeopolitikën që kur Izraeli i shpalli luftë Hamasit në Gazë pas sulmit të këtij grupi më 7 tetor në territorin izraelit.

Katër për qind e të rriturve amerikanë përmendën konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës si çështje ku qeveria e tyre duhet të përqendrohet këtë vit.

Politika e jashtme ka fituar rëndësi në mesin e të anketuarve nga të dyja palët. Rreth 46 për qind e republikanëve e përmendën atë, nga 23 për qind vitin e kaluar. Dhe 34 për qind e demokratëve rendisin politikën e jashtme si një pikë kyçe, krahasuar me 16 për qind një vit më parë.

Emigracioni është gjithashtu një shqetësim dypartiak në rritje. Në përgjithësi, sondazhi zbuloi se shqetësimet mbi emigracionin u rritën në 35 për qind nga 27 për qind vitin e kaluar. Shumica e republikanëve, 55 për qind, thonë se qeveria duhet të përqëndrohet tek emigracioni në vitin 2024, ndërsa 22 për qind e demokratëve e renditën atë si përparësi.

Edhe pse emigracioni dhe politika e jashtme u ngritën si çështje, shqetësim mbetet ekonomia. Inflacioni ka rënë, papunësia është e ulët dhe Shtetet e Bashkuara kanë kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme parashikimet për rënie ekonomike, megjithatë të anketuarit kanë një këndvështrim të zymtë për ekonominë.

Rreth 76 për qind e të rriturve amerikanë thanë këtë herë se duan që qeveria të përqëndrohet në çështjet që lidhen me ekonominë në vitin 2024, thuajse njësoj me 75 për qind që u shprehën kështu në 2022.

Rreth 85 për qind e republikanëve dhe 65 për qind e demokratëve e konsiderojnë ekonominë si një çështje kryesore.

Një e katërta e të rriturve amerikanë thonë se 2024 do të jetë një vit më i mirë se 2023 për ta personalisht dhe 24 për qind presin të jetë një vit më i keq./ Zëri i Amerikës-Associated Press

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA