Shifrat rekord! 440 vendime nga një gjyqtar gjatë vitit 2023, kreu i Gjykatës së Lartë: Për dy vite, heqim dosjet e mbetura stok

29/12/2023 11:19

Një gjyqtar i Gjykatës së Lartë ka mbajtur mesatarisht 440 vendime gjatë vitit 2023, një shifër rekord sipas kreut të këtij institucioni, Sokol Sadushi.

Në një konferencë për mediat në fund të këtij viti, Sadushi shpjegoi se gjatë këtij viti janë regjistruar 1.846 çështje të reja dhe sipas standardit ndërkombëtarë po kaq duhej të ishte edhe numri i vendimeve gjyqësore, ndërkohë që janë dhënë 7.848 vendime, pra, 4 herë më shumë se norma e rendimentit për gjyqtar. Referuar këtyre të dhënave, çdo gjyqtar ka mbajtur për këtë vit një ngarkesë prej afro 440 vendime në vit, ndërkohë që historikisht, në vitin e saj më të mirë dhe me më shumë këshilltarë ligjorë, Gjykata e Lartë shqyrtonte mesatarisht jo më shumë se 250 çështje në vit për gjyqtar.

Kjo është një përpjekje e Gjykatës së Lartë për të shqyrtuar mijëra çështje të prapambetura.

“Shumë shpejt do të konstatoni se pasi të kemi përfunduar shqyrtimin e çështjeve që i përkasin viteve 2017-2018, si vitet me numrin më të lartë të çështjeve të regjistruara, nuk do të ketë çështje që tejkalojnë afatet e arsyeshme të gjykimit. Mjafton t’i referohemi numrit të vendimeve të dhëna nga viti 2020, për të qenë besimplotë se për një periudhë afro dy vjeçare, backlogu prej 24.000 çështjesh do të konsiderohet si një reminishencë e të shkuarës.

Përtej sasisë së çështjeve, gjyqtarët mbeten të fokusuar veçanërisht tek cilësia e vendimmarrjes. Në këtë drejtim jemi të orientuar te shtimi i vendimeve për njësimin, zhvillimin e ndryshimin e praktikës gjyqësore. Gjatë vitit 2023 ka filluar procedura për 13 vendime njësimi (4 nga Kolegji Penal, 2 nga Kolegji Civil dhe 7 nga Kolegji Administrativ), ndërkohë që një pjesë prej tyre janë shpallur dhe të tjerat janë në proces arsyetimi”, u shpreh kreu i Gjykatës së Lartë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA