Programi i kredive me 0% interes! Rama vizitë në shtëpinë e një prej inspektorëve të Policisë së Shtetit që përfitoi nga skema

29/12/2023 19:32

Kryeministri Edi Rama së bashku me ministrin e Brendshëm, Taulant Balla janë ndalur mbrëmjen e sotme në shtëpinë e Vionis Shehu, një prej inspektorëve të Policisë së Shtetit që përfitoi nga programi i kredive të garantuara nga qeveria.

“Këtë shtëpi e kisha parë para se të më dilte kredia, por ishte pothuajse e pamundur me çmimet e tregut. Ëndrrën e kisha, po ishte thuajse e pamundur pa mbështetjen tuaj. Ajo ishte një shtysë shumë e madhe për mua” – u shpreh Vionisi.

Kryeministri Rama u ndal edhe tek disa nga benefitet që kanë punonjësit e Policisë së Shtetit. “E kemi diskutuar gjatë edhe më përpara dhe tani krijuam këtë sistemin me kartën e dedikuar. Kartën e çdo familje të një punonjësi policie që shkon në një super market. Kështu që kartat i kalojnë grave, ato shkojnë në supermarkete që janë të lidhura me Ministrinë e Brendshme dhe marrin ushqimin me ulje. Për ato lloj kartash është 10 – 15 % sipas produkteve. Kështu që e tha dhe drejtori është 100 mijë lek në muaj plus nga paga që është ushqim, po si vlerë blerje është edhe më shumë. Po është edhe rritja e pagave vitin tjetër është e konsiderueshme. Kjo rritja e 2024 është goxha e konsiderueshme për punonjësit e policisë edhe për mjekët e përgjithshëm, edhe për arsimtarët. Faktikisht do të shkojë 900 euro paga mesatare në shtet. Mos harro një gjë,  që krahasimi  pagë me pagë është tjetër, edhe çfarë shkon në shtëpi është tjetër. Se ti mund ta shohësh pagën në pagë, po themi punonjësi i policisë shqiptare me atë gjermane nuk është diferencë e madhe, mirë po taksat që ka ai te paga, shpenzimet që ka ai për qera e për histori të tjera, e transporti është histori më vete”, – u shpreh Rama.

Gjatë bisedës me familjen e inspektorit të Policisë, kreu i qeverisë u ndal edhe tek boom-i turistik i këtij viti si dhe rolin që Policia e Shtetit kishte në këtë arritje. “Ne faktikisht kemi pasur trefishin e popullsisë që jeton në Shqipëri, e kemi pasur turistë. Janë më shumë sesa trefishi i banorëve që janë në Shqipëri kështu që është shifër shumë e madhe, megjithatë ne kemi potencial për shumë më tepër dhe hap pas hapi do t’ia dalim, edhe me ndihmën e policisë që ka krijuar një standard të ri sigurie me thënë të drejtën sepse gjëja që të bën përshtypje, se ne kemi bërë dhe anketime me këta turistët e huaj dhe fjala e parë që thonë, është siguria. Tani pse e thonë siguria? E thonë siguria sepse perceptimi deri jo shumë larg ka qenë që s’ka siguri, jo të kapin, jo të vjedhin, jo të vrasin, që s’ishte i vërtetë, por që sidoqoftë nuk ishte komplet i pabazë dhe vijnë e habiten”, – tha Rama.

“Ka shumë punonjës që më pyesin mua si aplikove. Unë mezi po e prisja dhe direkt aplikova. Ka shumë punonjës që mezi po e presin që të hapen prap”, – u shpreh Vionisi, teksa kryeministri nënvizoi se “ne do ta zgjerojmë programin, se e kishim të gatshëm për 1000 veta, mirëpo duhen ndjekur mirë kriteret, se nuk duhet abuzuar me këtë”.

Duke e uruar familjen Shehu për shtëpinë e re, kryeministri Rama përfitoi nga rasti për të uruar edhe festa të gëzuara dhe një vit të ri sa më të mbarë për familjen Shehu.

FOTO GALERI
6/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA