Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur akuzë kundër 23 zyrtarëve të Policisë së Kufirit ‘’Qafë Morinë’’, për ryshfet.
Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se zyrtarët dyshohen për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër njëzet e tre (23) zyrtarëve policorë të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit ‘’Qafë Morinë’’, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se e kanë kryer veprën penale ‘’Marrja e ryshfetit’’ e sanksionuar me nenin 421 të Kodit Penal dhe ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë’’ e sanksionuar me nenin 414 të Kodit Penal”, thuhet në njoftim.
“Prokuroria Speciale njofton se të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë kanë marrë ryshfet nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, me rastin e kalimit në pikat kufitare ‘’Qafë Morinë’’, me ç ‘rast kanë lejuar hyrjen e personave në territorin e Kosovës, pa i verifikuar dhe pa i kontrolluar nëse i plotësojnë kushtet ligjore për hyrje dhe dalje nga territori i Republikës së Kosovës, sipas legjislacionit në fuqi”, përfundon njoftimi.
Top Channel