Parlamenti turk rinis sot diskutimet mbi ratifikimin e aplikimit të Suedisë për anëtarësim në NATO, një çështje delikate kjo të cilën e komplikon akoma edhe më shumë fakti që presidenti Recep Tayyip Erdogan e lidhi me kërkesën e Ankarasë për të marrë avionët e shumëkërkuar F-16 nga Shtetet e Bashkuara.
Suedia dhe Finlanda hoqën dorë nga një politike disa dekadëshe neutraliteti ushtarak pas agresionit rus ndaj Ukrainës, që i nxiti të kërkonin bashkimin e për rrjedhojë dhe ombrellën mbrojtëse të aleancës së fuqishme perëndimore. Përpjekjet e tyre për miratim avancuan shpejt mes anëtarëve të tjerë, por hasën në vështirësi nga rezistenca e Turqisë dhe Hungarisë. Finlanda në fund, u pranua si anëtarja e 31-të e aleancës në muajin prill, por Suedia jo.
Turqia dhe Hungaria mbeten aktualisht të vetmet pjesëtare të NATO-s që nuk e kanë ratifikuar ende përpjekjen 19 mujore të Suedisë për pranim. Muajin e kaluar, Komiteti për çështjet me jashtë në Parlamentin turk dështoi të arrinte pajtimin për tekstin e marrëveshjes, dhe diskutimi u shty për pasditen e 26 dhjetorit. Erdogan dha sinjale zbutjeje në korrik kur hoqi dorë nga kundërshtimet për anëtarësimin e Suedisë pasi Stokholmi, siç u tha, shtypi grupet kurde që Ankaraja i cilëson grupe terroriste.
“Ne shohim se ka ndryshim të politikës në Suedi dhe se po merren vendime në gjykata”, tha Fuat Oktay, ligjvënës nga partia në pushtet e Erdoganit, AKP, që është pjesë e Komitetit për punë të jashtme të Parlamentit turk. Pasi çështja të miratohet nga Komiteti për punë të jashtme, votimi kalon në Parlament, ku aleanca e Erdoganit ka shumicën.
Top Channel