”Cikël dramatik dhe tragjik…”/ Zheji për sulmin ndaj Top Channel: Viktima ishte roja e perimetrit të sigurisë së një kështjelle mediatike

25/12/2023 23:04

Analisti Artur Zheji i ftuar këtë të hënë në emisionin “Top Story” tha se Pal Kola, personi që humbi jetën gjatë sulmit ndaj Top Channel ishte roja e perimetrit të sigurisë së një kështjelle mediatike.

Ndërsa kujton edhe Afrim Bunjakun, policin që humbi jetën në Banjskë të Kosovës, ai shprehet se të dy i ka bashkuar fati dramatik i humbjes së jetës duke mbrojtur njëri perimetrin e një mediaje kombëtare, kurse tjetri të një kombi.

“Të dy i ka bashkuar fati dramatik i humbjes së jetës, por në të njëjtën kohë zotëria që ruante Top Channel dhe polici që u vetëflijua atë natë në veriun e Kosovës, njëri ishte roje e perimetrit të sigurisë së një kështjelle mediatike, tjetri roje e perimetri të sigurisë të një kështjelle, të një kombi, është një cikël aq dramatik dhe tragjik për familjet, aq edhe epik në mënyrën se si ne ballkanasit e përjetojmë, dramë, por njëkohësisht edhe forcë”, tha Zheji.

Gjatë diskutimit në studio për “Personazhin dhe ngjarjet e vitit 2023”, ai përmendi edhe personalitetet që kanë nderuar Shqipërinë nëpër botë. Ndër to ai përmendi Mira Muratin me Inteligjencën Artificiale, e cila tashmë po bën bujë në rang botëror.

Ai u shpreh se një vend i vogël si Shqipëria ka shumë personazhe, të cilat i konsideron diamante. Ndër të tjera Zheji shtoi se të gjithë personalitetet shqiptare me famë botërore kanë ngritur pozitivisht emrin e Shqipërisë, pavarësisht “përtalljeve me epitetet nga më të ndryshmet”.

“Ata po e shohin Shqipërinë si një nëndetëse që po del nga uji. Pra domethënë si ajo e bukura e dheut që del nga fundi i liqenit të magjepsur. Ne vërtet kemi kombëtaren që ka hyrë në Europian dhe që gëzon të gjithë njerëzit. Ne kemi një ekselente që ka krijuar magjinë, si Mira Murati. Ne kemi Dua Lipën që dominon muzikën, kemi edhe Rita Orën. Një popull kaq i vogël ne kemi nxjerrë diamante që u jep shqiptarëve besim në genet e tyre. Është një popull që ka kaluar kriza të mëdha mosbesimi.

Integruar kjo dhe kombëtarja krijojnë diamantet e një kurore, Mira Murati, etj. Të kesh ti një shqiptare që ka hedhur nën eterin e të ardhmes, pra po ndryshon të ardhmen Inteligjenca Artificiale. Është një femër shqiptare nga Vlora, bartëse e disa geneve të çuditshme. Neve na akuzojnë se jemi popull bastardë, pa të ardhme, i përzier, një popull mercenarësh e drogaxhinjsh. Kur dalin këto momente të bukura shqiptarët solidarizohen”, theksoi analisti.

Top Channel