Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani viziton këtë të premte Shqipërinë.
Kryediplomati italian mësohet se do të ketë takime ministrin e punëve të jashtme Igli Hasani dhe kryeministrin Edi Rama.
Në fokus të diskutimeve pritet të jetë marrëveshja e emigrantëve mes dy vendeve, ndërsa mund të ketë dhe një vizitë në zonën e Gjadrit aty ku është planifikuar që të ndërtohet kampi ku do të strehohen refugjatët.
Kryeministri Edi Rama dhe homologia e tij, Giorgia Meloni nënshkruan një pakt ku ranë dakord për ngritjen e qendrave për strehimin e emigrantëve të paligjshëm që kapen në detin Mesdhe në Gjadër.
Të gjitha shpenzimet do të mbulohen nga pala italiane. Por marrëveshja u depozitua në gjykatën Kushtetuese nga deputetët e opozitës.
Ajo ka mbetur pezull deri në momentin që Kushtetuesja të shprehet me një vendim përfundimtar. Seanca e parë pritet të mbahet më 18 janar. Sipas paktit të nënshkruar, në Gjadër do të strehohen rreth 3 mijë emigrantë.
Tajani në një konferencë për mediat dy ditë më parë tha se gjatë vizitës në Shqipëri do të vizitojë portin e anijeve që do të mbledhin emigrantët.
“Bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar është i dobishëm për emigracionin dhe Afrikën. Ne gjithmonë kemi kërkuar pjesëmarrje nga Bashkimi Evropian, edhe nëse nuk është më pjesë e tij, Mbretëria e Bashkuar është pjesë e Evropës kështu që besoj se bashkëpunimi është i dobishëm për të dy. Gjithashtu për vëmendjen që i është kushtuar Afrikës, ne folëm për këtë në bisedën tonë, për G7, për NATO-n. Me Shqipërinë e nisëm këtë nismë me një vend që ka aplikuar për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Më 22 dhjetor do të vizitoj portin e Albës ku do të ankorohen anijet ushtarake dhe do të mbledhin emigrantët nga vendet e sigurta në ujërat ndërkombëtare, do të dërgohen në Shqipëri dhe më pas do të kthehen në vendet e origjinës”, tha Tajani, pas takimit dypalësh me ministrin e Jashtëm britanik, David Cameron në Farnesina.
Top Channel