SPAK kërkoi arrestimin, opozita në protestë! Marshon drejt Kryesisë së Kuvendit: Këtu s’ka shtet, më 27 Dhjetor protestojmë para Gjykatës së Lartë

18/12/2023 13:18

“Opozita e të drejtave të mohuara” është titulluar aksioni opozitar i protestës së sotme, e cila ka nisur organizimin që në seli të Partisë Demokratike me Sali Berishën që në orën 11:00 mbajti një deklaratë për shtyp, dhe më pas grumbullimin pak nga pak të protestuesve të parë për t’u zhvendosur më vonë në një marshim nga selia blu drejt kryesisë së Kuvendit.

Një grup modest demokratësh, sikurse e ka cilësuar ish-kryeministri Berisha, iu përgjigjën thirrjes për të protestuar kundër qeverisë Rama, të cilën e konsideron monodiktaturë ose regjim të krimit dhe drogës që vjedh qytetarët.

Në një kohë kur Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin është mbledhur për shqyrtimin e kërkesës së SPAK sa i përket dhënies së autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha; ish-kryeministri ka zgjedhur të mos shkojë për t’u mbrojtur në Komision, duke argumentuar se kjo do të nënkuptonte pranimin e poshtërimit publikisht të institucionit më të rëndësishëm të shtetit.

Me flamuj të PD-së në krah, militantë dhe deputetë mbështetës të Rithemelimit kanë shoqëruar ish-kryeministrin Berisha në marshimin simbolik. Me thirrjet “Rama Ik”, “Edi Rama, hajduti i zgjedhjeve” apo pankarta “Shqipërisë t’i dalim Zot”, protestuesit kanë mbërritur në ambientet e kryesisë së Kuvendit, të blinduar nga efektivë dhe mjete Policie.

Gazetarja e Top Channel, Doriana Bezat raporton se pavarësisht se nuk ka informacione për incidente, Policia ka ndërmarrë masa sipas një protokolli të caktuar për raste të tilla. Bulevardi Dëshmorët e Kombit është i lirë dhe ka bllokime vetëm përballë kryesisë së Kuvendit ku PD-ja e Rithemeluar ka vendosur një podium për të folur protestuesit.

Gazetarja e Top Channel, Kristi Gongo e cila po ndjek nga afër zhvillimet e protestës, ka mundur të shkëpusë disa prononcime të qytetarëve që ndodhen sot në Tiranë në mbështetje të Berishës.

Pse ndodhesh sot në protestë?

“Për padrejtësitë që i bëhen popullit shqiptar. Këtu nuk ka shtet. Shteti është privat. Çdo zyrë është private”- tha një qytetar.

Nga keni ardhur? “Unë kam ardhur nga Hasi dhe do të qëndroj këtu në rrugë sa të jetë nevoja. Nuk ka rrugë tjetër o vdekje o liri”- përfundoi qytetari.

“Jam për Berishën këtu. Është turp ta arrestojnë. Ai nuk është kriminel”- tha një qytetar.

“Nuk jam për Berishën. Ta fusin nëse ka bërë shkelje. Jam për hallin tim se jam pensionist, të na ngrenë pensionet”- tha një tjetër qytetar.

11:46/ SPAK kërkoi arrestimin e Berishës, Argita Malltezi proteston me demokratët përballë Kryesisë

Argita Malltezi iu është bashkuar demokratëve për të protestuar në mbështetje të Berishës përballë Kryesisë së Kuvendit, ndërsa Këshilli i Mandateve do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-kryeministrit.

Vlen të theksohet se krahas Berishës, edhe bashkëshorti i Argitës, Jamarbër Malltezi, është në hetim nga SPAK për aferën Partizani.

12:57/ Me tymuese në protestë! Berisha i ashër me Ramën, thërret tubim më 27 Dhjetor: Ky është fundi yt!

Tymueset, mesaduket janë kthyer në simbolin e “rezistencës” për demokratët e Berishës, ndërsa pas kaosit në Parlament ato janë përdorur edhe në protest. Me thirrjet “Berisha, Berisha” protestuesit opozitarë kanë bërë ndezjen e tyre, ndërsa pak minuta më vonë ka marrë fjalën në podiumin e improvizuar ish-kryeministri.

Sipas Berishës, mbajtja e protestave dhe mosbindja civile është vetëm fillimi. Ish-kryeministri u ka bërë thirrje demokratëve që më 27 dhjetor të mblidhen përpara Gjykatës së Lartë, ditë kur dhe do të zhvillohet seanca për vulën e Partisë Demokratike.

“Me këtë miting shënoni ngjarjen historike që shënuan një grusht i vogël demokratësh në shtator të 1997 në protestë për të dëshmuar se ishin të pa mposhtur. Sot nuk jemi 30, as 50 por qindra herë më shumë. Jemi në mision të njëjtë. Në atë kohë asnjëri nuk po protestonte për sali berishën por për idealet e lirisë. Edhe sot jemi këtu për idealet e lirisë, në një kthesë që na fton historia.

Duhet të dalim me betimin se jetën e japim, votën nuk e falim. Edi Rama është fundi yt, struku ku të duash. Pak javë më parë të paralajmërova se ajo që po shihje në parlament, ajo mosbindje civile ishte vetëm fillimi.

Më 27 dhjetor çdo demokrat/demokrate përpara Gjykatës së Lartë ku Edi Rama ka porositur ekzekutimin e identitetit tonë. Të enjten që vjen të gjithë para parlamentit monist. Këta duken të fort, por janë kalbësira të vërteta. E mbyllim sot këtë takim historik të betuar se do përdorim çdo mjet të mosbindjea civile kundër këtij regjimi. Nuk ka më”- tha Berisha.

FOTO GALERI
25/42

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA