Shqyrtimi i imunitetit të deputetit! Berisha refuzon përballjen në Këshillin e Mandateve, me një grup protestuesish i drejtohet kryesisë së Kuvendit

18/12/2023 11:29

Ish-kryeministri Sali Berisha nuk do të shkojë në Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet, për të argumentuar se pse nuk duhet t’i hiqet imuniteti i deputetit.

Pamjet e siguruara nga Top Channel tregojnë se një grup njerëzish ndodhen duke pritur ish-kryeministrin, me qëllim që pas përfundimit të deklaratës të nisen për tek kryesia e Kuvendit.

Më herët, Berisha mbajti një deklaratë për shtyp ku argumentoi se shkuarja në atë Komision, nënkuptonte pranimin e poshtërimit publikisht të institucionit më të rëndësishëm të shtetit. Në vend të kësaj, ai theksoi se ai së bashku me një grup demokratësh do të protestojnë në rrugë.

“Me qëllim, për t’i dhënë një zgjidhje ligjore, që është e pamundur në këtë narkorepublikë, grupi parlamentar iu adresua Gjykatës Kushtetuese jo për Sali Berishën, por iu adresua Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur pushtetin e parlamentit. Imuniteti i deputetit është mbrojtje për parlamentin dhe funksionimit të tij. Grupi parlamentar iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për t’i treguar vendin atyre që mund të mendojnë të rrëmbejnë një pushtet që nuk e kanë.

Në këto rrethana, Edi Rama dhe larot e tij, vrapuan drejt parlamentit për t’i kërkuar zëvendësimin e masave antikushtetuese që kanë dhënë ndaj meje me masa më të rënda, arrestin me burg ose arrest shtëpie. Ky është një poshtërim i parlamentit. Kjo është shpallja e tij një zyrë legalizimi e veprimeve të paligjshme, një zyrë amnistie për aktet e paligjshme, zyrë noterie.

Ndaj dhe unë sot nuk mund të ndodhesha kurrë në atë komision, të pranoja një poshtërim publik të tillë të institucionit, që me Kushtetutë është institucioni qendror i republikës parlamentare. Sot ne nisim betejën në rrugë, e transpozojmë atë nga parlamenti në rrugë. Do vazhdojmë në parlament”- tha Berisha.

Top Channel