Policia e Shtetit ka marrë masa paraprake për parandalimin e incidenteve gjatë protestës së Berishës, e organizuar në të njëjtin moment kur agjenda e tij është e ngjeshur me dy zhvillime tepër të rëndësishme; paraqitja para oficerit të policisë gjyqësore dhe shqyrtimi i kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të deputetit në Këshillin e Mandateve.

Rreth 700 forca nga Policia e Tiranës dhe forca të sigurisë kombëtare priten të angazhohen në protestën e thirrur sot nga opozita. Vlen të theksohet se që në orët e para të mëngjesit nisi implementimi i forcave të Policisë pranë kryesisë së Kuvendit.

Ndërkaq, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” do të monitorohet dhe nga kamerat e Policisë.

Sot në orën 12:00 mblidhet Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë të Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha.

Në shkresën drejtuar Kuvendit, më 12 dhjetor SPAK argumenton se ish-kryeministri nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës duke mos u paraqitur asnjëherë para oficerit të policisë gjyqësore/hetuesit. Nuk dihet nëse ish-kryeministri do të paraqitet në Këshillin e Mandateve për të mbrojtur veten, duke dhënë argumentuar se pse nuk duhet t’i hiqet imuniteti. Ndërkohë, ai ka bërë të ditur se edhe sot ashtu sikurse herët e tjera, nuk do të paraqitet pranë oficerit të Policisë gjyqësore.

 

Top Channel