Ndotja e ajrit mbetet problem në qytetet më të mëdha të vendit, duke ndikuar ndjeshëm dhe në cilësinë e shëndetit dhe jetës së qytetarëve.
Tirana është qyteti me ndotjen më të lartë gjithëvjetore, e ndjekur nga Elbasani, më pas Durrësi, Korça dhe Shkodra. Me financim të Bashkimit Evropian, që synon ta afrojë vendin me “Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane”, këto 5 qytete janë nën monitorim për cilësinë e ajrit, zhurmës dhe gjelbërimit urban.
“Arsyeja pse Tirana zë vendin e parë është se ka ndërhyrja e madhe në sektorin e ndërtimit dhe punëve publike, pa harruar transportin, cilësinë e naftës dhe flotën e vjetër të automjeteve, qofshin publike apo private. Ndërkohë Elbasani ka një tipologji ndotjeje që varet nga industria metalurgjike apo e rëndë. Për shkak të kërkesë-ofertës që ka kjo industri dhe emetimeve që çlirohen atje të pamonitoruara shkarkohen mbi Elbasan. Pa harruar dhe ndërhyrjet infrastrukturore që po kryhen mbi shtratin e lumit Shkumbin”, tha Rodion Gjoka-ekspert mjedisi.
Në këtë sezon, qyteti me ajrin më të ndotur është Korça për shkak të djegies së lëndëve djegëse për ngrohje.
“Durrësi deri diku më të vogël se industrinë më të madhe ka portin në brendësi të qytetit, ndërsa Shkodra paraqitet më mirë nga ekspozimi ndaj ndotjes. Jo se nuk tejkalohen standardet dhe aty”, u shpreh ai.
Sektori i ndërtimeve dhe transportit janë shkaktarë kryesorë të niveleve të larta të ndotjes, ndërsa, sipas specialistëve, koston e ndotjes e paguajnë mushkëritë e qytetarëve. Çdo vit raportohen rreth 3000 vdekje si pasojë e ndotjes së ajrit.
“I vetmi që shprehet për këtë 4 vitet e fundit është institucioni i Agjencisë Evropiane të Mjedisit i cili nëpërmjet monitorimeve satelitore Copernicus ka thënë që çdo vit kemi të paktën 3 mijë vdekje të parakohshme ku 85% e tyre ndodhin kryesisht në Tiranë dhe për çdo person të ekspozuar mbi standardet për një kohë të gjatë kemi një ulje të jetëgjatësisë prej 185-188 ditësh”, deklaroi Gjoka.
Grupet më të rrezikuara nga ndotja e ajrit dhe zhurmave janë të moshuarit, të sëmurët kronikë, të sapolindurit dhe gratë shtatzëna. Për specialistët mbetet shqetësues fakti që Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk e monitoron cilësinë e ajrit dhe as instituti i Shëndetit Publik nuk raporton prej vitesh mbi incidencën e sëmundjeve të ndryshme të popullatës që lidhen më ndotjen dhe cilësinë e ajrit.
Top Channel