Ndërprerja e energjisë elektrike shkakton probleme në furnizimin me ujë të pijshëm në disa zona në Durrës

16/12/2023 14:50

Si pasojë e motit të keq, një stuhi që përfshiu që nga dita e djeshme zonën e Fushë- Milotit dhe Fushë-Kuqes ku ndodhen dy burimet kryesore të furnizimit me ujë të Qarkut Durrës, ka patur ndërprerje të energjisë elektrike.

Kjo situatë energjetike dhe pse është riparuar ka sjellë problematika në grafikun e furnizimit me ujë të pijshëm të një pjese të qytetit të Durrësit dhe zonave rurale të tij. Nga ndërprerja e energjisë elektrike, stacioni i Fushë-Milotit u stakua gjatë natës së djeshme, ndërkohë që ndërprerje të punës pati edhe në stacionin e Fushë-Kuqes.

Grupet e avarisë kanë punuar që në orët e para të mëngjesit e në vazhdim për të rikthyer situatën në normalitet. Pas punës së kryer për disa orë rresht, është rikthyer energjia elektrike dhe aktualisht të dy stacionet e pompave kanë nisur punën me kapacitet të plotë që nga ora 11.00 e ditës së shtunë.  Për shkak të këtyre problematikave, ka pasur problem në furnizimin me ujë në njësitë administrative si Ishëm, Manëz, Katund i Ri, Sukth dhe Rrashbull si dhe në disa lagje të qytetit të Durrësit.

Ujësjellës Kanalizime Rajoni Durrës, përmes një njoftimi, i kërkon ndjesë abonentëve për shqetësimin e krijuar për shkak të problematikave që erdhën nga stuhia e djeshme. Si pasojë e ndërprerjes së përkohshme të stacioneve të pompimit, depot e ujit janë mbushur me vonesë dhe kjo do të sjellë lëvizje, zhvendosje të orareve në grafikun e furnizimit me ujë të qytetarëve në zona të ndryshme të Durrësit.

FOTO GALERI
6/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA