“Kemi kapërcyer fazën e vështirë”/ Rama gjatë mbrëmjes së “Yjeve të Sportit”: Më parë kampionët merrnin arratinë, sot kanë përkrahje

16/12/2023 20:00

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i dorëzoi  trajnerit të ekipit kombëtar Sylvinho Mendes Campos Júnior trofeun e  vlerësimit nga Komiteti Olimpik Shqiptar.

Ndër të tjera lideri shqiptar mbajti edhe një fjalim gjatë mbrëmjes së “Yjeve të Sportit”, ku u shpreh se kanë kaluar fazën e vështirë të situatës sportive në vend, e për këtë i vjen mirë.

Rama tha se më parë kampionët merrnin arratinë për shkak të mungesës së mbështetjes, ndërsa sot kanë arritur t’i kapërcejnë këto probleme në sportin shqiptar, falë financimeve që janë bërë për ta.

“Është pa diskutim një privilegjin që mu dha mua mundësia t’i dorëzoj trajnerit të ekipit tonë kombëtar këtë simbol vlerësimi nga Komiteti Olimpik Shqiptar dhe shpresoj shumë që ajo kupë e vogël të jetë një ogur i mirë në betejën për një kupë më të madhe. Nuk kam patur mundësi të flas me trajnerin, por e kam folur pak me presidentin sot në mëngjes sepse krejt rastësisht takova mbrëmë trajnerin e ekipit kombëtar të Italisë në Romë dhe ndër të tjera më tha që, “Shqipëria është skuadra më në formë sot për sot nga të gjitha skuadrat. Shpresoj që në gjashtë muaj Shqipëria të bjeri nga forma dhe Italia të rritet në formë, por po të kisha patur mundësi  të zgjidhja, nuk do kisha zgjedhur në asnjë mënyrë që ndeshjen e parë ta kisha me Shqipërinë”.

Thënë kjo, duhet të them edhe disa fjalë më shumë për t’iu drejtuar të gjithëve ju në këtë moment bilanci festiv të Komitetit Olimpik Shqiptar. Besoj që kemi hyrë në një epokë të re, nga njëra anë  me suksesin e jashtëzakonshëm të kombëtares, sukses i arritur me vështirësi, sukses i arritur duke kaluar edhe periudha të vështira midis kualifikimit të mëparshëm në europian dhe këtij kualifikimi të ri. Sukses domethënës për të gjithë kombin dhe gjithë popullin tonë sepse tregon se kur një grup njerëzish me dhunti, me dëshirë dhe mbi të gjitha me përkushtim për të bërë çdo sakrificë për të arritur qëllimin e tyre të përbashkët dhe natyrisht edhe me organizimin dhe drejtimin e duhur, nuk i pengon dot asgjë.

Nga ana tjetër besoj që sukseset e paimagjinueshme, siç është ky i kombëtares të një pjese të rëndësishme të atyre që janë sot të pranishëm dhe ju kërkoj ndjesë për të mos i përmendur emër për emër, janë po ashtu rezultat jo vetëm i një pune të jashtëzakonshme dhe i një ambicie dhe dëshire të madhe për t’ia dalë të një individi, por edhe pikërisht i krijimit të një fryme skuadre siç ndodh me Federatën Shqiptare të Futbollit, sot edhe me Komitetin Olimpik Shqiptar për të mbështetur sportistët, për t’iu dhënë atyre të gjitha mundësitë që të fokusohen tek objektivat e tyre.

Mua më vjen jashtëzakonisht mirë që kemi kapërcyer një fazë jashtëzakonisht, jo vetëm të vështirë, por jashtëzakonisht jo dinjitoze për të gjithë ne, për shtetin tonë, për qeverinë, patjetër pastaj për Komitetin dhe federatat, atë fazë që siç e përmendi edhe Presidenti i Komitetit Olimpik, ata kampion në që kishim ose merrnin arratinë dhe hynin në garë për flamuj të tjerë, ose dhe kur arrinin ndonjë rezultat me flamurin shqiptar mbeteshin pa asnjë mbështetje, pa asnjë përkrahje dhe pastaj mbaronin aktivitetin sportiv dhe ishin rrugëve.

Sot, kjo jo vetëm nuk ndodh më, por sot është garantuar që kjo nuk do të ndodh më kurrë, sepse nga njëra anë të gjithë sportistët, të cilët arrijnë rezultate, që nga ato “më modestet”, titujt kombëtar deri tek rezultatet fantastike si rezultatet e Luiza Gegës, po përmend vetëm Luizën dhe pastaj të gjithë të tjerëve, shpërblehen dhe përfshihen në një sistem i cili siguron që edhe pas mbarimit të aktivitetit sportiv të gjithë këta kampionë kanë një vend të nderuar në shoqëri dhe jo vetëm në zemrën e në kujtesën e atyre që i kanë parë triumfet e tyre, por edhe në jetën e tyre të përditshme, duke u përfshirë në Forcat e Armatosura, duke u përfshirë në forcat e sigurisë, duke pasur grada të larta, të cilat nga njëra anë janë simbolike sepse ata nuk ushtrojnë veprimtari kolonelësh edhe nënkolonelësh e kështu me radhë, por aq sa janë simbolike, janë të përputhura edhe me një pagë të sigurtë për të gjithë jetën, janë të përputhura edhe me pensionin përkatës që vjen pas pagës, pa llogaritur edhe një impakt tjetër, që shpërblimet për sportistët tanë që sjellin medalje në vendin tonë, janë ndër më të lartat në Evropë.

Vetëm kështu ne kemi bërë të mundur të ndalojmë largimin e sportistëve dhe madje siç nuk e kishim imagjinuar asnjëherë, të kemi sportistë që vijnë nga vende të tjera dhe jo vetëm nga Lindja, por edhe nga Perëndimi, për të konkurruar me flamurin shqiptar duke u bërë shtetas shqiptarë, gjë që zakonisht e kanë bërë vendet me shumë më tepër  fuqi dhe më vjen po aq mirë që para pak ditësh, i kemi dhënë dhe një mbështetje FSHF-së, për të pasur sa më shumë lehtësi në aspektin e organizimit dhe në aspektin e përgatitjeve në rrugën drejt Evropianit të vitit të ardhshëm.

Megjithatë, unë besoj se më e mira është e gjitha përpara dhe se jemi në një proces edhe në aspektin e çuarjes së gjithë lëvizjes sportive në një nivel tjetër, njësoj si procesi që kemi filluar me lëvizjen sportive në shkolla që është një themel shumë i rëndësishëm, por që kërkon edhe kohën edhe durimin e nevojshëm për të ngritur të gjithë ngrehinën. Rastësia e do që njëri të jetë grek, tjetri italian kështu që grek-italian-shqiptar, jemi në një familje, kemi dhe një brazilian për të mos prishur syrin e keq, por grekun dhe italianin do t’i lëmë siç janë, brazilianin do ta bëjmë shqiptar dhe e kemi ndarë mendjen bashkë me Presidentin e federatës, por edhe ai e ka pranuar me kënaqësi që të marrë edhe nënshtetësinë shqiptare”, tha Rama gjatë fjalimit të tij.

FOTO GALERI
10/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA