18 persona, gardianë dhe civilë janë shoqëruar nga burgu i Peqinit për t’u marrë në pyetje, pasi dyshohet se bashkëpunuan me Sokol Mjaçajn për futjen e armës në ambientet e burgut.
13 persona janë arrestuar lidhur me ngjarjen. Drejtori i burgut të Peqinit, Kamer Hoxha; Qani Muça, shefi i regjimit të godinës “41 biss”, 60 vjeç; Nikolin Gjonpalaj, ish shefi i policisë së burgut të Peqini, 54 vjeç; Vilson Shima, shef i regjimit të godinës B, 37 vjeç; Arben Dulellari, specialist informacioni, salla operative IEVP Peqin, 52 vjeç; policët e shërbimit të IEVP Peqin: Ilir Balla, 46 vjeç, Florenc Mile, 43 vjeç, Fatos Pire, 50 vjeç.
Të ndaluar janë edhe punonjësit e policisë të burgut të Peqinit: Genci Muça, shërbim në kolonë, godina B, 49 vjeç, banues në Lushnjë; Indrit Dubali, punonjës roli bazë, godina B, 41 vjeç, banues në Peqin; Klement Haka, punonjës i rolit bazë, godina B, 44 vjeç, banues në Peqin dhe Erjon Çela, polic shërbimi, godina B, 36 vjeç, banues në Belsh.
Sipas dëshmive, arma dyshohet se ka hyrë në ambientet e burgut rreth 1 muaj më parë dhe Mjaçaj ka pritur momentin për të vrarë Arben Lleshin.
Prokuroria po punon në pistën e vrasjes me pagesë. Mjaçaj ka deklaruar se me Lleshin kishte konflikt pasi ky i fundit nuk e kishte pranuar në sektor, por sipas prokurorisë është thjesht alibi dhe pista kryesore mbetet vrasja me pagesë. Armën, Mjaçaj ka deklaruar se e ka marrë rreth 20 ditë më parë nga hyrja, pra në rrugë tokësore.
Mjacaj është transferuar në një tjetër burg që për shkak të hetimeve dhe rrezikshmërisë që paraqet çështja nuk bëhet me dije.
Sokol Mjaçaj, i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm në burgun e sigurisë së lartë IEVP “Peqin”, qëlloi dje me armë zjarri ndaj të burgosurve Indrit Shaqja dhe Arben Lleshi Lleshi. Ky i fundit nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra, ndërsa Shaqja është jashtë rrezikut për jetën.
I dënuari për vrasjen e dy të turistëve çekë mbajti peng nën kërcënimin e armës punonjësit e kuzhinës në institucionin e heqjes së lirisë, të cilët u liruan pas disa orësh me ndërhyrjen e forcave të shumta policore dhe RENEA, që kanë vënë nën kontroll situatën.
Top Channel