Konflikt mes të burgosurve në burgun e Peqinit, një i vdekur dhe një i plagosur! Sokol Mjaçaj dërgohet në policinë e Elbasanit

15/12/2023 17:00

Sokol Mjaçaj, i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm në burgun e sigurisë së lartë IEVP “Peqin”, ka qëlluar me armë zjarri ndaj të burgosurve Indrit Shaqja dhe Arben Lleshi këtë të premte.

Lleshi nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra, ndërsa Shaqja është jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, i dënuari për vrasjen e dy të turistëve çekë mbajti peng nën kërcënimin e armës punonjësit e kuzhinës në institucionin e heqjes së lirisë, të cilët u liruan pas disa orësh me ndërhyrjen e forcave të shumta policore dhe RENEA, që kanë vënë nën kontroll situatën.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, nuk ka policë apo civilë të lënduar.

“Për shkak të një konflikti mes tre të dënuarve me burgim të përjetshëm kanë mbetur të plagosur dy prej  dhe ndërkohë situata po menaxhohet! Ju sqarojmë që s’ka asnjë gardian, staf policor dhe civil të lënduar“, njofton Drejtoria e Burgjeve.

Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë ka urdhëruar vendosjen e tij në regjimin e posaçëm “41 bis”. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja u shpreh se do të zbatojë me rigorozitet ligjin për vendosjen në regjimin e posaçëm për të gjithë ata të paraburgosur dhe të dënuar që cenojnë rendin dhe sigurinë, apo që vazhdojnë aktivitetin kriminal brenda i IEVP-ve.

Sokol Mjaçaj është i dënuar përjetë për vrasjen e dy turistëve çekë, Michal Svatos dhe Anna Kusinova, më 3 korrik 2015 në fshatin Prekal të Dukagjinit. Mjaçaj i grabiti e më pas i ekzekutoi me armë zjarri në automjetin e tyre.

Sokol Mjaçaj

Indrit Shaqja vuan dënimin me burg për vrasjen e dy të moshuarve në Durrës, që u masakruan në mënyrë barbare para se të ndërronin jetë. Krimin, ai e kreu me gjakftohtësi në shtator në vitin 2014. Ai hyri për të grabitur në shtëpinë e të moshuarve gjatë mesnatës. Kur viktimat u zgjuan nga gjumi, i torturoi deri në vdekje.

Indrit Shaqja

Arben Lleshi ishte i dënuar për vrasjen e një bashkatdhetari në Britaninë e Madhe. Lleshi nga fshati Laç-Bruçi i Matit vrau Agim Hoxhën në 10 prill 2012. Ngjarja ndodhi në një apartament në qytetin anglez të Southempton dhe më pas, trupi i tij u dogj në një makinë tip “Mercedes Benz”.

Arben Lleshi

 

Për këtë ngjarje është dënuar me burg edhe vëllai i Lleshit, 39-vjeçari Afrim Lleshi, i cili pranoi para gjykatës se ka bashkëpunuar në shfarosjen e trupit të viktimës.

Sokol Mjaçaj po dërgohet në ambientet e policisë së Elbasanit. Ai do të merret në pyetje nga strukturat e posaçme hetimore të prokurorisë së Elbasanit.

Drejtuesit e prokurorisë janë larguar nga burgu i Peqinit. Marrja në pyetje e Sokol Mjaçajt dhe gardianëve, të cilët kanë qenë prezent në momentin e ngjarjes, ka përfunduar.

FOTO GALERI
8/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA