Nën masa të rrepta sigurie, nis në Gjykatën e Apelit gjyqi ndaj Ruben Saraivës për vrasjen e Ardian Nikulajt

10/11/2026 13:57

Në masa të forta sigurie, në Gjykatën e Apelit ka nisur gjyqi ndaj Ruben Saraivës.

Siç bën me dije gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, avokati po lexon ankesën dhe apelimin, përmes të cilëve kërkon shfuqizimin e dënimit të shpallur nga Gjykata e Lezhës, ku Saraiva u gjet fajtor për vrasjen e Ardian Nikulajt.

“I pandehuri është dënuar me burgim të përjetshëm. Vendimi nuk ka qenë i rregullt në aspektin procedural, pasi ai nuk ka marrë asnjë akt shkresor në gjuhën e tij amtare. Provat e administruara nuk krijojnë bindjen se Ruben Saraiva është personi i maskuar që qëlloi. Ne e kuptojmë dhimbjen e familjarëve, por garancitë kushtetuese në gjykim duhet të garantohen. Le t’u qëndrojmë të dhënave. Në datën 27.02.2023, dëshmitarja thotë se blerësi i motorit është pak i shëndoshë dhe nuk përmendet se bëhet fjalë për një shtetas të huaj.

Rezulton se Saraiva del me pasaportën e tij nga Kapshtica. Asnjë dëshmitar nuk e njeh nga fytyra. Edmond Haxhia largohet nga Rinasi. Procedimi drejtohej në një kohë të afërt drejt Edmond Haxhisë. Në motor nuk gjendet asnjë gjurmë e Saraivës. Më datat 30-31 dhjetor, gjatë ekstradimit nga Maroku, nuk i është dhënë asnjë vendim në gjuhën e tij. Duke pasur parasysh mënyrën se si janë marrë provat, kërkojmë që procesi të vendoset në kushte ligjshmërie.

Ai ka gjuhë amtare portugalishten. Ka qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar për një periudhë të caktuar, por nuk e njeh gjuhën angleze në mënyrë të mjaftueshme. Marrja e tij si person nën hetim, komunikimi i akuzës dhe kërkesa për gjykim janë kryer vetëm në gjuhën angleze“, deklaroi avokati i Saraivës.

Top Channel